Një ditë pas arrestimit të Altin Hilës gjatë protestës para Kuvendit, është hapur një fushatë për të mbështetur financiarisht familjen e tij. Deri tani, sipas të dhënave të publikuara në platformën e mbledhjes së fondeve, janë dhuruar rreth 120 mijë euro nga donatorë të ndryshëm.
Për 32 ditë me radhë, Hila ishte çdo pasdite në protestë i shoqëruar nga djali i tij, person me status invaliditeti. Pamjet ku ai e ushqente të birin në shesh, përmes një shiringe të lidhur direkt në stomak, u kthyen në një nga imazhet më të njohura të protestës.
Paraditen e djeshme, gjatë protestës para Kuvendit, Altin Hila u arrestua nga Policia e Shtetit. Organizatorët e nismës pretendojnë se ai u dhunua gjatë ndërhyrjes së policisë dhe se familja e tij ndodhet në vështirësi ekonomike.
“Në shenjë solidariteti me atdhetarin tonë Altin Hila, po organizojmë këtë mbledhje fondesh për të lehtësuar sadopak situatën e familjes së tij”, thuhet në përshkrimin e fushatës.
Brenda pak orësh, nisma ka mbledhur rreth 120 mijë euro, një reagim që tregon jehonën që ka pasur historia e Altin Hilës te shumë qytetarë brenda dhe jashtë Shqipërisë.






















