
Tetëdhjetë flakonë me fentanil, opioidi sintetik i njohur si “droga e zombieve”, janë zhdukur nga farmacia e spitalit Israelitico në Romë, duke vënë në alarm qeverinë italiane. Bëhet fjalë për një substancë që përdoret në spitale si anestetik dhe për trajtimin e dhimbjeve shumë të forta, por që në tregun e paligjshëm është një nga drogat më të rrezikshme në botë. Fentanili është 50 deri në 100 herë më i fuqishëm se heroina, ndërsa një dozë shumë e vogël mund të shkaktojë mbidozë fatale.
Sipas autoriteteve, nga 80 flakonët e vjedhur mund të prodhohen deri në 20 mijë doza, të cilat në tregun e zi mund të vlejnë nga 400 mijë deri në 2 milionë euro. Për këtë arsye, Palazzo Chigi mblodhi urgjentisht Ministrinë e Shëndetësisë, policinë antidrogë dhe autoritetet rajonale, duke e trajtuar rastin si një çështje të sigurisë kombëtare.
Vjedhja u zbulua kur punonjësit e farmacisë hapën kasafortën dhe konstatuan mungesën e flakonëve. Nuk ka shenja thyerjeje, çka ka orientuar hetimet drejt personave që kishin akses të autorizuar, pasi çelësi i kasafortës përdorej nga disa punonjës. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që medikamenti të jetë vjedhur me porosi për t’u futur në rrjetet e trafikut të drogës ose për t’u shitur në dark web.
Pas ngjarjes, Ministria italiane e Shëndetësisë dhe Rajoni i Lazios urdhëruan inspektime jo vetëm në spitalin Israelitico, por edhe në të gjitha spitalet e tjera të rajonit për të verifikuar mënyrën se si ruhen barnat narkotike. Burime nga qeveria italiane folën për një “alarm të fortë” dhe e cilësuan si “papërgjegjshmëri” faktin që një substancë kaq e rrezikshme ka dalë jashtë kontrollit të sistemit shëndetësor.






















