
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka shprehur shqetësim për mënyrën se si u menaxhua protesta e zhvilluar më 2 korrik 2026 para Kuvendit të Shqipërisë, duke ngritur pretendime për përdorim të forcës joproporcionale nga Policia e Shtetit dhe për përshkallëzim të situatës pas disa incidenteve të izoluara.
Në një deklaratë të publikuar pas monitorimit në terren, KShH vlerëson se protesta kishte kryesisht karakter paqësor, ndërsa thekson se aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen të gjithë protestuesve. Organizata i referohet edhe standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas të cilave incidente të tilla nuk e humbasin domosdoshmërisht karakterin paqësor të një tubimi.
Sipas KShH, situata ka ndryshuar me shpejtësi pas një incidenti me automjete pranë zonës së Kuvendit, duke kaluar nga një gjendje e qetë në ndërhyrje policore me rrethim të protestuesve, shtyrje dhe më pas përdorim të gazit lotsjellës.
Organizata shpreh shqetësim të veçantë për faktin se, sipas vëzhgimeve të saj, përdorimi i gazit lotsjellës nuk është paraprirë nga një paralajmërim publik dhe nuk është lënë kohë e mjaftueshme për shpërndarje vullnetare të protestuesve. KShH thekson se përdorimi i mjeteve të tilla duhet të jetë masë e fundit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit, pasi prek edhe protestues paqësorë, gazetarë dhe vëzhgues të pranishëm.
Po ashtu, KShH ngre shqetësime për raste të përdorimit të forcës ndaj personave që, sipas saj, ndodheshin tashmë të neutralizuar në tokë. Organizata vlerëson se çdo veprim i tillë duhet të hetohet në mënyrë të pavarur dhe efektive, pasi mund të përbëjë trajtim çnjerëzor ose poshtërues në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në përfundim, Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje institucioneve shtetërore të garantojnë ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor dhe të sigurojnë që ndërhyrjet e policisë të jenë të domosdoshme, proporcionale dhe plotësisht në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.






















