
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se negociatat indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit po zhvillohen pozitivisht, duke theksuar se bisedimet në Doha “po shkojnë shumë mirë”.
Gjatë një deklarate për gazetarët në Bazën e Përbashkët Andrews, Trump tha se Irani ka ndryshuar ndjeshëm qëndrimin e tij në raport me negociatat. “Irani ka bërë shumë përparim”, u shpreh ai, duke kujtuar gjithashtu goditjet e fundit amerikane ndaj objektivave iraniane.
Presidenti amerikan ritheksoi se Uashingtoni mbetet i vendosur për të mos lejuar Teheranin të zotërojë armë bërthamore. “Çështja është shumë e thjeshtë: Irani nuk mund të pajiset me një armë bërthamore”, deklaroi Trump.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se negociatat dhe marrëveshjet e fundit kanë nisur të japin rezultate konkrete për ekonominë iraniane. Sipas agjencisë Fars, ai theksoi se disa kufizime financiare dhe monetare janë lehtësuar, ndërsa eksportet e naftës po vazhdojnë normalisht.
Pezeshkian shtoi se heqja e disa pengesave ekonomike dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik konsiderohen ndër përfitimet e para të marrëveshjeve të fundit të arritura nga Teherani.
Deklaratat vijnë në një kohë kur bisedimet indirekte mes SHBA-së dhe Iranit po vazhdojnë në Doha, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit. Mediat arabe dhe ndërkombëtare raportojnë për progres në negociata, ndërsa burime diplomatike bëjnë të ditur se është arritur një marrëveshje paraprake për lirimin e 3 miliardë dollarëve për Iranin.
Sipas raportimeve të Al Arabiya dhe Al Hadath, palët kanë rënë dakord fillimisht për mënyrën e shpërndarjes së shumës, ndërsa diskutimet vijojnë për statusin e Ngushticës së Hormuzit, mbi bazën e një propozimi të ri të paraqitur nga Omani.
Burimet bëjnë të ditur se delegacionet pritet të rikthehen në vendet e tyre për konsultime të mëtejshme para raundit të ardhshëm të bisedimeve. Negociatat teknike po zhvillohen në mënyrë indirekte, ku delegacioni amerikan komunikon përmes ndërmjetësve nga Katari, ndërsa pala iraniane përmes ndërmjetësve pakistanezë.
Sipas Reuters, ekipet negociatore dhe ekspertët teknikë po marrin pjesë aktive në diskutime, ndërsa delegacioni amerikan i udhëhequr nga Kushner dhe Witkoff kishte zhvilluar më herët takime përgatitore me kryeministrin e Katarit.






















