Politika 2 July 2026, 18:38 Nga VNA

Shqipëria përvëlohet nga protestat, Edi Rama “krihet” me estetikën

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria përvëlohet nga protestat, Edi Rama “krihet”

Në një intervistë për Deutsche Welle, Edi Rama bëri një deklaratë që ndoshta përmbledh më mirë se çdo program filozofinë e tij të qeverisjes. “Mund të më japin leksione për ekonominë, për çështjet ligjore, për bujqësinë dhe për shëndetësinë, por ka një gjë për të cilën askush nuk mund të më japë leksione: bukurinë”, tha ai. Madje shtoi se si ministër Kulture, kryetar bashkie dhe kryeministër, të gjithë vizionin e tij e ka ndërtuar mbi idenë e bukurisë.

Është një deklaratë që të lë pa fjalë, jo për ambicien artistike, por sepse vjen nga kryeministri i një vendi që prej vitesh prodhon më shumë skandale sesa histori suksesi. Shqipëria nuk po debaton sot për estetikën. Debati është për korrupsionin, për shtetin e kapur, për pastrimin e parave, për emigrimin e të rinjve dhe për një administratë që vazhdon të shfaqet në dosjet e SPAK-ut.

Gjatë viteve të fundit, drejtësia ka hetuar ose goditur ministra, ish-ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë të rëndësishëm dhe zyrtarë të lartë. Afera me tenderë, koncesione, leje ndërtimi, pastrim parash dhe shpërdorim detyre janë bërë pjesë e kronikës së zakonshme. Në çdo demokraci normale, një kryeministër do të përpiqej të shpjegonte pse ndodh kjo. Edi Rama, përkundrazi, zgjedh të flasë për bukurinë.

Ndoshta ky është edhe problemi i madh i këtyre trembëdhjetë viteve. Qeverisja është trajtuar më shumë si një projekt estetik sesa si ndërtim institucionesh. Janë lyer fasada, janë inauguruar sheshe, janë prodhuar imazhe dhe slogane, ndërsa pas tyre janë grumbulluar skandale që sot po hetohen nga SPAK-u. Kur realiteti bëhet i pakëndshëm, përgjigjja nuk është transparenca, por një ekspozitë e re me fjalë për bukurinë.

Ironia është se Rama pretendon se askush nuk mund t’i japë leksione për artin. E drejta e tij. Por as si piktor nuk arriti ndonjëherë të bëhej një emër që la gjurmë në historinë e artit. Sot kërkon të mbahet mend si artisti që pikturoi Shqipërinë.

Vetëm se Shqipëria nuk është një telajo. Nuk mbulohet me bojë. Dhe bojërat nuk fshehin dot dosjet, hetimet, korrupsionin dhe paratë e pista. Përkundrazi, sa më shumë lyhen fasadat, aq më shumë bie në sy kontrasti me atë që fshihet pas tyre.

Nëse ambicia e Edi Ramës ishte ta “ngjyroste” Shqipërinë, atëherë historia mund të japë një gjykim shumë më të ashpër: fasadat mund të kenë marrë ngjyra, por qeverisja e këtyre viteve rrezikon të kujtohet për hijen e rëndë të korrupsionit, të pastrimit të parave dhe të dosjeve që vazhdojnë të hapen, shumë më tepër sesa për estetikën që kryeministri pretendon se askush nuk ia kalon.

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme