
Ministri Blendi Gonxhja ka reaguar në rrjetet sociale ndaj Eda Grimçit, anëtaren e sapozgjedhur të Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila ndodhej mes protestuesve para Kuvendit në momentin kur ai u largua nga godina i shoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Në një postim në Facebook, Gonxhja publikoi pamje nga momenti i protestës, si edhe fotografi nga profili i Grimçit dhe njoftimin për zgjedhjen e saj si anëtare e Kryesisë të PD-së, duke ironizuar rolin e saj në protestë.
“Protestuesja e revolucionit rozë… qenka kryetare e PD-së së Njësisë 9, e sapozgjedhur në drejtimin e opozitës”, shkruan ministri, duke e shoqëruar postimin me komente ironike dhe etiketime politike.
Reagimi i Gonxhjes vjen vetëm pak orë pasi ai u përball me protestuesit para Kuvendit dhe u largua nga zona i shoqëruar nga forcat e policisë, për shkak të bllokimit të hyrjeve të Parlamentit nga demonstruesit.























