
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka ironizuar ministrin Blendi Gonxhja për mënyrën se si u largua nga Kuvendi para seancës plenare.
“Gonxhja doli si lepur nga dera e Kalasë. Kanë mbyllur kalimin te Kalaja, duke lënë bizneset pa punë, si e si t’i sigurojnë një korridor lepujve që kanë frikë të dalin nga Kuvendi”, shkruan Noka në një postim në rrjetet sociale.
Por, pak minuta më herët, edhe vetë Flamur Noka së bashku me deputetë të tjerë të Partisë Demokratike u detyruan të ktheheshin mbrapsht, pasi protestuesit që ishin mbledhur para Kuvendit i pritën me thirrjet: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Situata tregoi se mesazhi i protestuesve nuk ishte i drejtuar vetëm ndaj mazhorancës, por edhe ndaj opozitës, e cila u përball me të njëjtën kundërshti teksa tentoi të hynte në seancën plenare.






















