Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka fituar më shumë se 1 miliard dollarë gjatë vitit të kaluar, me pjesën më të madhe të të ardhurave që vijnë nga investimet dhe aktivitetet në tregun e kriptovalutave.
Sipas raportit të detyrueshëm financiar për vitin 2025, i publikuar në një dokument prej 927 faqesh, Trump raportoi 635 milionë dollarë të ardhura nga honoraret e monedhës meme që mban emrin e tij, pavarësisht se vlera e saj ka rënë ndjeshëm që nga lançimi, i cili u bë vetëm pak ditë para se ai të rikthehej në detyrë si president.
Ai deklaroi gjithashtu mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga World Liberty Financial, kompania e kriptovalutave e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit të posaçëm presidencial, Steve Witkoff.
Përveç sektorit të kriptovalutave, Trump vazhdon të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme edhe nga bizneset e tij tradicionale. Sipas deklarimit financiar, ai fitoi rreth 122 milionë dollarë nga resorti i golfit në Doral të Floridës dhe rreth 77 milionë dollarë nga kompleksi Mar-a-Lago. Mbi 30 milionë dollarë secili i sollën edhe klubet e golfit në Bedminster (New Jersey), Jupiter (Florida) dhe Turnberry (Skoci).
Në raport përfshihen edhe miliona dollarë të ardhura nga produktet me markën Trump, përfshirë orët, Biblat, atletet, parfumet dhe kitarat.
Shifrat e publikuara tejkalojnë ndjeshëm deklarimin financiar të vitit 2024, kur Trump kishte raportuar më shumë se 600 milionë dollarë të ardhura.
Shtëpia e Bardhë ka mohuar sërish çdo pretendim për konflikt interesi, duke theksuar se bizneset e presidentit administrohen përmes një fondi të drejtuar nga djemtë e tij.
Zëvendëssekretarja për shtyp, Anna Kelly, deklaroi se Trump e ka bërë SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptovalutave” dhe se as ai, as familja e tij, nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë të përfshirë në konflikte interesi.
Ironikisht, Trump kishte qenë një kritik i fortë i kriptovalutave në të kaluarën, duke e cilësuar Bitcoin-in si “mashtrim” dhe “një katastrofë që pret të ndodhë”. Megjithatë, raporti i fundit financiar tregon se pikërisht ky sektor është bërë burimi më i madh i të ardhurave të tij, duke lënë pas edhe biznesin e pasurive të paluajtshme që e bëri të famshëm.






















