Pamjet e publikuara nga gazetari Isa Myzyraj kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si Policia e Shtetit ka trajtuar publikisht pretendimet për efektivët e dëmtuar gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Në video shihet Joan Trungu, shefi i forcës “Shqiponja” në Policinë e Tiranës, i shtrirë në spital, ku vizitohet nga ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vizita u paraqit si mbështetje për efektivët e lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit.
Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, i njëjti efektiv shfaqet sërish në detyrë. Sipas pamjeve të publikuara, Trungu ndodhet pranë Komisariatit nr. 3, duke drejtuar forcat “Shqiponja” në terren.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje të natyrshme. Nëse dëmtimi ishte i tillë që kërkonte trajtim spitalor dhe një vizitë zyrtare nga drejtuesit më të lartë të rendit, si u rikthye në krye të operacionit vetëm pak orë më pas? Në të kundërt, nëse gjendja e tij nuk ishte serioze, atëherë lind pyetja nëse i gjithë episodi u përdor për të ndërtuar një narrativë publike mbi ngjarjet e protestës.
Deri tani nuk ka një sqarim zyrtar nga Policia e Shtetit mbi gjendjen shëndetësore të efektivit dhe arsyet e rikthimit të tij të menjëhershëm në detyrë. Pamjet, megjithatë, kanë nxitur debat dhe kanë shtuar kërkesat për transparencë mbi mënyrën se si u menaxhua komunikimi publik pas protestës.






















