
Situata përpara godinës së Kuvendit është tensionuar sërish ditën e sotme, ku janë shënuar përplasje mes tubuesve dhe forcave të rendit. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit erdhi në momentin kur një grup protestuesish u afrua pranë kordonit të efektivëve, duke shkaktuar shtyrje dhe përplasje me uniformat blu. Për të zmbrapsur turmën, forcat e policisë kanë përdorur spraj irritues me piper, gaz lotsjellës dhe topa uji në drejtim të qytetarëve, të cilët nga ana e tyre u kundërpërgjigjën duke krijuar barrikada me gardhe metalike dhe kazanë mbeturinash.
Ky reagim i forcave të rendit erdhi në një moment kur dyert e Parlamentit mbeteshin të bllokuara, me qëllim krijimin e një korridori sigurie për të mundësuar largimin e deputetëve dhe ministrave nga salla e seancave plenare. Pas përdorimit të gazit lotsjellës nga ana e policisë, një pjesë e protestuesve u tërhoq përkohësisht, çka lejoi daljen e automjeteve të zyrtarëve nga ambientet e Kuvendit.
Pas përfundimit të këtyre përplasjeve, policia ka vijuar me ujë dhe gaz lotsjellës dhe shoqërimin e disa personave në komisariat, duke e çuar në mbi nëntë numrin e të ndaluarve përgjatë ditës së sotme.
Aktualisht, forca të shumta policore vijojnë të qëndrojnë në terren për të mbajtur nën monitorim zonën.























