
Pamjet e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit ndaj një protestuesi gjatë përplasjeve para Kuvendit kanë ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin e përdorimit të forcës. Në videot e publikuara shihen disa efektivë policie teksa neutralizojnë me forcë një protestues, duke nxitur reagime nëse ndërhyrja ishte në përputhje me standardet ligjore.
Nëse protestuesi kishte shkelur ligjin, ai duhej ndaluar dhe shoqëruar sipas procedurave. Megjithatë, mënyra e ndërhyrjes ka hapur debat mbi nevojën dhe proporcionalitetin e forcës së përdorur.
Për këtë ngjarje pritet një reagim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili pritet të sqarojë rrethanat e ndërhyrjes dhe nëse veprimet e efektivëve ishin në përputhje me ligjin dhe rregulloret e Policisë.
Ndërkohë, po në të njëjtën ditë u bë publik edhe një zhvillim tjetër që vë në pikëpyetje funksionimin e strukturave policore. Hasan Ferracaku, një nga të pandehurit për masakrën e Velipojës, u arratis nga arresti shtëpiak, ku ndodhej pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit.
Dy ngjarje të ndryshme, por që në të njëjtën ditë rikthejnë debatin mbi prioritetet, përgjegjësinë dhe efektivitetin e Policisë së Shtetit.






















