
Jo rrallëherë, operacionet për kapjen e të shumëkërkuarve kanë dështuar, ndërsa në SPAK janë shtuar dyshimet se aksionet dekonspirohen nga segmente të Policisë së Shtetit. Operacioni për arrestimin e Adi Çobo Bazholit duket se konfirmon këtë mosbesim, pasi u zhvillua nga Byroja Kombëtare e Hetimit, me Policinë e Shtetit të lënë jashtë aksionit.
Mes SPAK dhe Policisë së Shtetit ka një krizë të thellë të besimit. Prokuroria e Posaçme, që heton zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion apo krim të organizuar, si dhe bosët e narkotrafikut, ka dyshime të forta se segmente të caktuara të policisë mbrojnë të shumëkërkuarit që të jetojnë në arrati të pashqetësuar.
Ndaj, për herë të parë, mbrëmjen e së mërkurës, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në terren. FBI-ja shqiptare mori informacion se Adi Çobo Bazholi, i shumëkërkuar nga drejtësia italiane në kuadër të operacionit “Ura” dhe lidhje shumë e afërt e Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, lëvizte lirshëm në qytetin bregdetar të Durrësit. Të dhënat e siguruara flisnin se Çobo kishte mbështetje nga policia, segmente të të cilës janë përfolur gjatë për lidhje me klanin Troplini, ku ai bënte pjesë.
Ndaj, nisur nga dyshimet se ai lëvizte lirshëm prej dy vitesh, BKH-ja vendosi të përgjonte dhe vëzhgonte njerëzit pranë Çobos. Në bashkëpunim me DIA-n italiane, u përgjua bashkëshortja e Çobos dhe u ndoq teksa hynte dhe dilte nga një apartament në rrugën “Pavarësia” në Durrës, ose ndryshe rruga e Plazhit.
Mbrëmjen e kaluar e ndoqën sërish bashkëshorten dhe, në momentin që panë Çobon të dilte qetësisht nga apartamenti dhe u ngjit në makinë, agjentët e BKH-së ndërhynë dhe i vunë prangat. Në aksion ishin edhe agjentë të DIA-s italiane.
Në brez ai mbante pistoletë dhe 40 fishekë. Policia e Shtetit u la jashtë këtij aksioni. BKH-ja e shoqëroi Çobon në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Ai pritet të ekstradohet drejt Italisë.
Ky rast nxjerr në pah një problematikë të theksuar. Faktin se SPAK ka dyshime të forta për dekonspirim të aksioneve dhe se ka humbur besimin te Policia e Shtetit.
E ndoshta për këtë arsye, kryeprokurori i SPAK, Klodjan Braho, hodhi idenë e krijimit të një strukture brenda BKH-së që të mund të kryejë arrestime.
“Nuk ka kapacitete operacionale që SPAK sot të bëjë arrestime të personave në kërkim. Siç është fenomen shqetësues për ju, mund të jetë edhe për ne. Kemi disa të kërkuar me masa sigurimi në mungesë apo të dënuar në mungesë. E kemi ngritur vazhdimisht këtë shqetësim. A kemi një strategji? Është herët, s’dua të bëj diçka publike sot, por ajo që mund të them është se po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK që të jetë i aftë t’i bëjë vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, tha Klodjan Braho, teksa raportoi në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Më shumë sesa kapja e një të shumëkërkuari, duket se kjo lëvizje e BKH-së është një sinjal për Policinë e Shtetit. Një sinjal se brenda radhëve të saj ka të inkriminuar dhe të lidhur me krimin. Tre celularët që iu sekuestruan Çobos mund të nxjerrin të dhëna në këtë drejtim. Një sinjal ky edhe për kryepolicin Skënder Hita, që duhet të veprojë për ta futur policinë në shinat e ligjit.
Njëherazi, ky është një sinjal edhe për politikën. Se një ditë, në derën e tyre mund të trokasë BKH-ja pa praninë e Policisë së Shtetit e t’u vërë prangat. Sepse në radhët e policisë ata i kanë të emëruarit e tyre, që me gjasë, ndryshe nga më herët, nuk do të munden t’u shërbejnë më.






















