Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë lidhur me protestat që po zhvillohen përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit, demonstratat po vijojnë çdo mbrëmje dhe protesta të tjera mund të organizohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera të vendit. Ambasada thekson se, edhe pse tubimet mund të nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi dhe protestat mund të shtrihen edhe pranë institucioneve të tjera shtetërore.
Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u kërkohet të shmangin pjesëmarrjen në demonstrata, të tregojnë kujdes të shtuar ndaj rrethinës, të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve, si edhe të kenë gjithmonë një plan emergjence për t’u larguar në rast të përshkallëzimit të situatës.
Ambasada paralajmëron gjithashtu se gjatë protestave priten prani e shtuar e policisë, bllokime rrugësh, devijime të qarkullimit dhe ndërprerje të trafikut në zonën përreth Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera qeveritare.






















