Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit nuk duhet të shndërrohet në një “skenë për fuqitë jashtë rajonit që të shfaqin forcën ushtarake”, duke paralajmëruar kundër çdo aktiviteti ushtarak në këtë rrugë ujore strategjike.
“Nuk është skenë për fuqitë jashtë rajonit që të shfaqin forcën ushtarake”, u shpreh ai në një postim në platformën X, duke theksuar se Irani e konsideron veten një garantues të sigurisë në këtë zonë.
Gharibabadi paralajmëroi se çdo veprim ushtarak në Ngushticën e Hormuzit do të ketë pasoja dhe se përgjegjësia do të bjerë mbi ata që “krijojnë kriza”.
Deklaratat e tij erdhën në reagim ndaj një qëndrimi të përbashkët Britani-Francë, ku theksohej gatishmëria për dislokimin e një misioni shumëkombësh ushtarak për të garantuar lirinë e lundrimit në këtë rrugë ujore.
Sipas tij, siguria e Ngushticës së Hormuzit duhet të mbetet në duart e shteteve bregdetare dhe jo të fuqive të jashtme.
Në sfond të tensioneve, është përmendur edhe një marrëveshje mirëkuptimi Iran-SHBA e ndërmjetësuar me ndihmën e Pakistanit, e cila synon uljen e përplasjeve dhe adresimin e çështjeve të hapura, përfshirë sanksionet, programin bërthamor dhe sigurinë rajonale.






















