Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se presioni i Shteteve të Bashkuara për një marrje të mundshme të kontrollit mbi ishullin vazhdon ende, duke theksuar se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga e drejta për vetëvendosje.
Gjatë një forumi ekonomik në Francë, Nielsen tha se vetëm pak ditë më parë i dërguari special amerikan për Grenlandën kishte përsëritur se presidenti Donald Trump nuk ka hequr dorë nga ideja për të marrë kontrollin e ishullit.
“Presioni nuk ka pushuar. Grenlanda ka qenë nën një presion të rëndë dhe të papranueshëm për rreth dy vjet për shkak të pozicionit të saj gjeologjik”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se Grenlanda nuk do të jetë kurrë në shitje.
“Grenlanda nuk do të heqë kurrë dorë nga e drejta e saj për vetëvendosje. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga vlerat tona dhe kurrë nuk do të jemi në shitje”, deklaroi Nielsen.
Ai shtoi se vendi synon të ruajë një dialog të drejtpërdrejtë me SHBA-në, duke ndërtuar një partneritet të bazuar në respekt të ndërsjellë, por theksoi se Grenlanda do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Bashkimit Evropian, Francës, Danimarkës, vendeve nordike dhe NATO-s.
Sipas Nielsen, një bashkëpunim më i ngushtë me Evropën mund të ndihmojë në sigurimin e mineraleve strategjike për kontinentin dhe në uljen e varësisë nga Kina.
Në të njëjtin forum, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, vlerësoi qëndrimin e kryeministrit të Grenlandës, duke thënë se ai i tha “jo” një presioni që e cilësoi “kolosal dhe imperialist”.
“Populli i Grenlandës zgjodhi Evropën, zgjodhi NATO-n. Nuk është në shitje dhe nuk mund të merret me forcë. Atë ditë, Jens-Frederik Nielsen tregoi një guxim të jashtëzakonshëm. Ai ishte fytyra e Evropës”, deklaroi Barrot.
Ministri francez theksoi gjithashtu se, pavarësisht mosmarrëveshjeve me SHBA-në, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta dhe se Evropa duhet të bëhet gradualisht më e pavarur, si në fushën e mbrojtjes ashtu edhe në sektorë të tjerë strategjikë.






















