Një postim i presidentit amerikan Donald Trump në rrjetin Truth Social ka rindezur tensionet mes Uashingtonit dhe Romës, duke shkaktuar reagime të forta në Itali. Trump publikoi një foto me kryeministren italiane Giorgia Meloni, të shoqëruar me frazën “nevojiten masa kufizuese”, një mesazh që mediat italiane e kanë interpretuar si një tjetër sulm verbal ndaj saj.
Sipas raportimeve, imazhi e paraqiste Melonin në një qëndrim admirimi ndaj presidentit amerikan, ndërsa mbishkrimi u konsiderua ironik dhe provokues. Corriere della Sera e cilësoi postimin si një sulm të ri të Trump ndaj kryeministres italiane, në një moment kur të dyja palët po përpiqeshin të rivendosnin marrëdhëniet, vetëm një ditë para Samitit të NATO-s në Ankara.
Reagimet nuk munguan as në politikën italiane. Kreu i partisë Azione, Carlo Calenda, doli në mbështetje të Melonit, duke e quajtur Trumpin një “ngacmues të neveritshëm”. Calenda ka qenë edhe më herët kritik ndaj presidentit amerikan, duke e cilësuar atë një “gënjeshtar serial”.
Marrëdhëniet mes Trump dhe Melonit u tensionuan fillimisht gjatë Samitit të G7 në Francë, më 19 qershor, kur presidenti amerikan deklaroi në një intervistë se kryeministrja italiane i ishte lutur për një favor, pretendim që u mohua nga pala italiane






















