Franca po shkon drejt zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027 me një skenar të ri politik, pasi lideres së së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, i është ndaluar kandidimi pas dënimit për përvetësim të fondeve të Bashkimit Europian. Kjo ka shtyrë në qendër të vëmendjes Jordan Bardellan, 30-vjeçarin që drejton aktualisht partinë Tubimi Kombëtar (RN).
Sipas sondazheve të fundit, RN mbetet forca favorite për zgjedhjet presidenciale, me mbështetje që varion nga 31% në 36% në raundin e parë, pavarësisht se kush do të jetë kandidati i saj.
Analistët vlerësojnë se Bardella ka arritur të zgjerojë bazën elektorale të partisë falë profilit të tij më të ri, pranisë së fortë në rrjetet sociale dhe distancimit nga imazhi i vjetër i RN-së. Ai konsiderohet si pasardhësi politik i zgjedhur nga vetë Marine Le Pen dhe gëzon popullaritet të madh, veçanërisht mes votuesve të rinj.
Megjithëse Le Pen ka apeluar vendimin ndaj saj dhe mund të rikthehet në garë nëse fiton procesin gjyqësor, ekspertët besojnë se Bardella do të mbetet figurë kyçe e fushatës, madje si kandidat potencial për postin e kryeministrit.
Në programin e tij politik, Bardella mban një qëndrim të ashpër ndaj emigracionit. Ai propozon heqjen e fitimit automatik të shtetësisë franceze nga lindja për fëmijët e prindërve të huaj dhe vendosjen e kontrolleve më të forta kufitare në zonën Schengen. Nga ana tjetër, ai ka afruar partinë me politika më liberale në ekonomi dhe më miqësore ndaj biznesit, duke u diferencuar në disa çështje nga Marine Le Pen.
Analistët vlerësojnë gjithashtu se Bardella po përpiqet të ndërtojë një profil më të moderuar në arenën ndërkombëtare, duke mbajtur distancë nga lëvizja amerikane MAGA dhe duke synuar bashkëpunim me forca të ngjashme europiane, si ajo e kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se gara presidenciale mbetet e hapur. Mungesa e përvojës politike të Bardellës, rreziku i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatat e dezinformimit pritet të jenë ndër sfidat kryesore deri në zgjedhjet e pranverës së vitit 2027.






















