Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mohuar raportimet se presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Izraelit të mos ndërmarrë operacione ushtarake kundër tuneleve të Hezbollah në Liban.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar, Netanyahu i cilësoi këto raportime si “mit” dhe “lajm të rremë”, duke theksuar se një kërkesë e tillë nuk është bërë kurrë nga Trump.
“Dëgjova raportimet në media se Presidenti Trump i ka kërkuar Izraelit të mos veprojë kundër tuneleve terroriste në Liban. Ky është një mit, është një lajm i rremë”, deklaroi ai.
Netanyahu shtoi se çështja nuk është diskutuar mes tij dhe presidentit amerikan.
“Ai nuk më tha asgjë për këtë dhe as unë nuk ia ngrita këtë çështje. Ne veprojmë në bazë të vlerësimeve dhe interesave tona të sigurisë”, u shpreh kryeministri izraelit.
Deklarata vjen pasi disa media raportuan se administrata amerikane i kishte kërkuar Izraelit të shmangte përshkallëzimin e tensioneve në kufirin me Libanin, duke mos goditur tunelet e përdorura nga Hezbollahu. Netanyahu, megjithatë, i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se vendimet ushtarake të Izraelit merren në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me interesat e sigurisë kombëtare.






















