Andy Burnham, i konsideruar si kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe, ka kërkuar publikisht falje për mënyrën se si Partia Laburiste reagoi në fillim të ofensivës izraelite në Gaza, duke pranuar se partia “nuk e bëri siç duhet” dhe se duhet të mbajë një qëndrim më të fortë ndaj qeverisë izraelite.
Në një intervistë për The Guardian, Burnham deklaroi se Britania duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj Izraelit, duke përfshirë sanksione të reja ndaj individëve dhe subjekteve, si edhe mundësinë e ndalimit të tregtisë me produktet që vijnë nga vendbanimet izraelite të konsideruara të paligjshme.
“E di që shumë njerëz mendojnë se në fillim të operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza partia ime nuk reagoi siç duhej dhe për këtë më vjen keq. Reagimi ynë shpesh nuk ka qenë i mjaftueshëm. Duhet të bëjmë më mirë,” tha ai.
Burnham pranoi se Mbretëria e Bashkuar ishte shumë e vonuar për të kërkuar armëpushim, ndërsa shtoi se duhet të forcojë më tej presionin diplomatik ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut.
Megjithatë, ai shmangu përdorimin e termit “gjenocid” për ngjarjet në Gaza, duke theksuar se, ndonëse ekzistojnë prova në rritje për krime lufte, është detyrë e gjykatave ndërkombëtare dhe jo e politikanëve të vendosin një përkufizim të tillë.
Burnham tha se është “i tmerruar” nga shkatërrimi në Gaza dhe kërkoi që të ketë përgjegjësi për vuajtjet e popullsisë palestineze.
Deklarata e tij shihet si një distancim nga qëndrimi fillestar i liderit aktual laburist, Keir Starmer, i cili në tetor 2023 u kritikua ashpër pasi deklaroi se Izraeli kishte të drejtë të ndërpriste furnizimin me energji elektrike dhe ujë për Gazën. Starmer e sqaroi atë deklaratë vetëm pas disa ditësh, duke humbur mbështetjen e një pjese të votuesve progresistë dhe myslimanë.
Burnham theksoi se mbetet i vendosur në luftën kundër antisemitizmit dhe dënoi sërish sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023, por shtoi se kjo nuk bie ndesh me kërkesën për ta mbajtur qeverinë e Netanyahut përgjegjëse për veprimet e saj në Gaza.
Sipas tij, Britania duhet të shqyrtojë masa të reja ndëshkuese, përfshirë sanksione shtesë dhe kufizimin e tregtisë me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat komuniteti ndërkombëtar i konsideron të paligjshme.






















