Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka deklaruar se ka ndërmarrë një sulm me raketa ndaj objekteve ushtarake amerikane në rajon, duke pretenduar se ka goditur qendrën e komandës dhe kontrollit të SHBA-së në Azinë Perëndimore, si dhe bazën ajrore Al-Azraq në Jordani.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars, IRGC bëri të ditur se Forca Ajrore Hapësinore lëshoi dhjetë raketa balistike drejt dy objektivave, duke pretenduar se të dyja u shkatërruan gjatë sulmit.
Autoritetet iraniane paralajmëruan se, nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin sulme të tjera, edhe bazat e tjera ushtarake amerikane në rajon do të jenë objektiv i raketave iraniane.
Nga ana tjetër, Jordania njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe rrëzuar tetë raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të mbretërisë.
Pretendimet e IRGC-së për shkatërrimin e bazës amerikane nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga autoritetet amerikane apo ato jordaneze.






















