Politika 27 September 2026, 15:00 Nga VNA

Rikthehet Rama, bashkë me të edhe formula e vjetër: Kur godet  drejtësia, përgjegjësia bëhet personale

Ndaje në Whatsapp
Rikthehet Rama, bashkë me të edhe formula e vjetër: Kur godet

Edi Rama u kthye të dielën nga Nju Jorku dhe bashkë me të u rikthye edhe një formulë tashmë e njohur e komunikimit të kryeministrit sa herë që një bashkëpunëtor i rëndësishëm përfundon përballë drejtësisë: përgjegjësia është individuale, qeveria vazhdon.

Këtë herë emri është Vlora Hyseni, ish-drejtuesja e SHISH, e zgjedhur dhe emëruar në krye të një prej institucioneve më të ndjeshme të shtetit, e cila tashmë ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Pas gjashtë ditësh në SHBA, Rama zgjodhi aeroportin “Nënë Tereza” për të dhënë qëndrimin e tij. Nuk pati pyetje nga gazetarët. Mesazhi u transmetua nga regjia e Kryeministrisë.

Kryeministri e cilësoi masën ndaj ish-drejtueses së SHISH “ekstreme”, duke pasur parasysh ekspozimin e një institucioni kyç, por theksoi se nuk ndërhyn në përmbajtjen e dosjes dhe se çdo dyshim duhet hetuar deri në fund. Për vetë Hysenin, vija politike ishte shumë më e thjeshtë: llogaria me drejtësinë është e saj.

“Kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së SHISH, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë”, deklaroi Rama.

Është një formulë që shqiptarët kanë pasur rast ta dëgjojnë në variante të ndryshme sa herë drejtësia ka mbërritur te njerëz të lidhur me mazhorancën. Edhe këtë herë kryeministri ndau përgjegjësinë penale individuale nga përgjegjësia politike e qeverisë dhe e tij si kryeministër.

Madje, duke iu përgjigjur kritikëve që e bëjnë përgjegjës për njerëzit e zgjedhur prej tij, Rama ironizoi se sipas kësaj logjike “kryefajtori i çdo rasti” duhet të ishte ai.

“Një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, se përndryshe shkelësi është ai vetë”, tha Rama.

Ai pranoi se Vlora Hyseni kishte punuar fillimisht pranë tij si këshilltare dhe se më pas ishte emëruar në krye të SHISH, duke theksuar se për të kishte marrë “referenca të shkëlqyera” nga shërbimet partnere. Por nga momenti kur ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ hyri në përballjen e saj me drejtësinë, Rama e vendosi vijën ndarëse: çështja është individuale.

Dhe pikërisht këtu, për të shpjeguar të tashmen, kryeministri iu rikthye edhe një herë së shkuarës. Sali Berishës, mënyrës se si ai trajtonte drejtësinë kur ishte në pushtet, përplasjeve me ish-Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama dhe Gërdecit. Një arkiv politik që Rama e ka përdorur shpesh për të treguar dallimin mes qeverisjes së tij dhe asaj të paraardhësit: atëherë drejtësia sulmohej, sot, sipas tij, lihet të veprojë edhe kur prek njerëzit pranë pushtetit.

Krahasimi është politikisht i kuptueshëm. Por koha ka bërë punën e vet. Nga Gërdeci kanë kaluar aq shumë vite sa sot ekziston një brez i tërë që ka lindur në kohën e skandaleve të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe po rritet në kohën e skandaleve të qeverisjes së Partisë Socialiste.

Për atë brez, Gërdeci është histori e treguar nga prindërit, kronikat dhe arkivat televizive. Vlora Hyseni, AKSHI, Ergys Agasi dhe dosjet që prodhon sot drejtësia janë aktualiteti që shohin në telefon.

Dhe pikërisht këtu rikthimi i vazhdueshëm te Berisha fillon të humbasë fuqinë e dikurshme politike. Mund të shërbejë për të krahasuar dy mënyra të ndryshme të raportimit me drejtësinë, por nuk mund të zëvendësojë përgjigjen për përgjegjësinë politike të së tashmes. Sepse Vlora Hyseni nuk u emërua nga Sali Berisha.

Ajo punoi pranë Edi Ramës si këshilltare dhe më pas u vendos në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Vetë Rama e konfirmoi këtë të dielën, duke shpjeguar se emërimi ishte bërë edhe mbi bazën e referencave të shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere. Tani që ish-drejtuesja e SHISH ka një llogari me drejtësinë, ajo llogari, sipas kryeministrit, është personale.

Rama kundërshtoi gjithashtu interpretimin se hetimet ndaj zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve të mazhorancës provojnë se korrupsioni ka përfshirë qeverisjen. Sipas tij, ndodh pikërisht e kundërta.

“Korrupsioni po goditet, nuk po rritet”, deklaroi Rama, duke e paraqitur faktin që drejtësia prek njerëz me funksione të larta, ministra apo bashkëpunëtorë të qeverisë si dëshmi të funksionimit të drejtësisë së re dhe të mbështetjes që mazhoranca i ka dhënë asaj.

Në këtë pikë, formula bëhet pothuajse perfekte në thjeshtësinë e saj: kur drejtësia prek njerëzit e qeverisë, kjo nuk dëshmon problemin e qeverisë, por suksesin e reformës së saj në drejtësi. Dhe kur lind pyetja se kush i zgjodhi, promovoi apo vendosi këta njerëz në poste kyçe, përgjegjësia rikthehet menjëherë në trajtën e saj individuale.

Pra, nga Rinasi, pas një jave të trazuar për SHISH, nuk pati ndonjë surprizë të madhe politike. Vlora Hyseni ishte zgjedhja e tij, kishte punuar pranë tij dhe ishte emëruar me vlerësimin e tij në krye të shërbimit sekret. Por llogaria që ajo ka sot me drejtësinë, sipas Ramës, është vetëm e saj.

Ndërsa për të shpjeguar pse kjo nuk duhet të rëndojë mbi qeverinë, Rama vazhdon të ketë në dispozicion Sali Berishën, Ina Ramën, Gërdecin dhe gjithë arkivin e tranzicionit shqiptar. Vetëm se ndërkohë ka kaluar një brez.

Një brez që lindi në kohën e skandaleve të PD-së dhe po rritet në kohën e skandaleve të PS-së, ndërsa dy palët vazhdojnë t’i kujtojnë njëra-tjetrës se kush e ka pasur të shkuarën më të keqe.

Dhe kështu, bashkë me Edi Ramën nga Nju Jorku u kthye edhe mënyra e njohur, tashmë disi e mërzitshme, e shkëputjes nga bashkëpunëtorët kur kostoja e tyre politike bëhet më e madhe se dobia: secili me llogarinë e vet, ndërsa karrigia e kryeministrit me llogarinë e askujt.

Video

Një e ftuar si Dua Lipa dhe dasma merr tjetër atmosferë! Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka festuar në dasmën e një të afërmi në Shqipëri, ku është shfaqur duke kërcyer e shijuar festën mes të ftuarve. Pamjet kanë bërë xhiron e rrjetit, duke i bërë të gjithë të dëshirojnë një të ftuar si ajo në dasmën e tyre.

Johnny Depp ka dhuruar një moment që askush nuk e priste gjatë një feste në Las Vegas. Teksa pozonte para fotografëve, aktori iu afrua murit të dekoruar me bimë dhe… kafshoi një prej gjetheve! Depp e përtypi për disa sekonda, përpara se ta pështynte dhe të vazhdonte pozimin sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Një moment interesant është regjistruar gjatë aktivitetit Oil Wrestling Presidential Cup, ku Osman Ali Davutoğlu, i prezantuar si “djali shpirtëror” nga Tanzania i ish-ambasadorit Ali Davutoğlu, përshëndeti spektatorët e pranishëm. Prania e tij tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë aktivitetit tradicional të mundjes me vaj.

Kryebashkiaku Mamdani është shfaqur në një video me tone satirike, si reagim ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në OKB. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ai shfaqet me komedianin Ramy Youssef, të dy me shalle palestineze. Postimi shoqërohet me mesazhin: “Duhej t’u përgjigjeshim deklaratave të Netanyahut në OKB në mënyrën tonë”, si dhe me flamurin palestinez.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme