“…hartova një listë me gjithçka… (që) në kultura të ndryshme e pasuron jetën pasionante, apo thjesht jetën në përgjithësi. Dhe, natyrshëm, ushqimi ishte në krye të listës”.
— Aphrodite, Isabel Allende
Ka libra që udhëzojnë, libra që frymëzojnë, libra që argëtojnë, libra që të fikin mendjen, libra që ta ndryshojnë jetën, dhe pastaj ka libra që gjallërojnë shqisat.
Afërdita nga Isabel Ajende i përket pa asnjë pikë dyshimi kategorisë së fundit.
Libri përmban receta, por nuk është libër gatimi në kuptimin e mirëfilltë. Mbart histori nga jeta e autores, por nuk është autobiografi e zakonshme. Është meditim mbi oreksin në të gjitha format e tij: uri për ushqim, uri për dashuri, uri për gjallëri, uri për jetën. Ajende udhëton përmes kulturave dhe shekujve, mbledh mite, anekdota, erëza dhe rituale sensuale që njerëzit kanë përdorur për ta pasuruar jetën. Ta lexosh librin është si të ulesh pranë një tryezë druri në një natë të gjatë dimri, ku tregimet dhe shijet përzihen, ku dëshira nuk fshihet, por nderohet si forcë që i jep frymë ekzistencës.
Ajo shkruan se ushqimi kryeson listën e asaj që e pasuron jetën. Pra, jo efikasiteti, as statusi, as produktiviteti, as pasuria. Por, ushqimi.
U ndala gjatë te kjo fjali dhe mendova për vendet e punës, për mbledhjet ku fjalët shkëmbehen, por nuk shijohen, për emaile që informojnë, por kurrë nuk ushqejnë, për strategji që funksionojnë në mënyrë perfekte, por i lënë njerëzit të zbrazët.
A mundet komunikimi në vendin e punës, si disa gatime, të jetë neutral dhe jo i shijshëm, më shumë karburant sesa ushqim?
Kemi agjenda të hartuara si dieta kufizuese. Kureshtja zhduket si sheqeri i tepërt. Vlerësimi racionohet. Rrëfimet, emocioni dhe rituali eliminohen në emër të produktivitetit, pikërisht ata përbërës që i bëjnë njerëzit të duan të jenë tërësisht të pranishëm. Dhe përfundojmë me komunikim pa shije.
Libri i Ajendes na rikujton diçka që kulturat njerëzore e kanë kuptuar prej kohësh dhe që organizatat shpesh e shpërfillin: jeta lulëzon brenda atyre çasteve që na ftojnë të jemi të pranishëm, jo thjesht funksionalë. Kur komunikimi në punë zhvishet nga shijet për t’u bërë vetëm funksional, ai i ngjan biskotave me proteina. Teknikisht i mjaftueshëm. Emocionalisht i varfër. Kemi optimizuar kuzhinën dhe kemi harruar vaktin.
Atëherë, si do të dukej komunikimi bë vendin e punës po ta trajtonim si recetë?
Ja një e thjeshtë:
· Një filxhan kureshtje për të krijuar hapësirë dhe për t’i bërë njerëzit të ndihen të ftuar, jo të menaxhuar.
· Dy lugë çaji vlerësim, duke patur në konsideratë personin përpara çështjes.
· Disa thërrime ndjeshmërie, jo si dobësi, por si çiltërsi.
· Një lugë gjelle rrëfim, ky fill njerëzor i përjetshëm që i shndërron fjalët në kuptim.
Dhe në fund, është rituali.
Tek Ajende, eksplorimi i ushqimit nuk ka të bëjë vetëm me konsumimin, por me pritjen, praninë, përfshirjen e shqisave. Ushqimi shndërrohet në metaforë të lidhjeve njerëzore. Rituali e shndërron rutinën në domethënie.
Edhe vendet e punës janë kultura të gjalla. Ato kanë nevojë për hapësira ku njerëzit ushqehen emocionalisht dhe ku ritualet nderohen.
Nëse ushqimi kryeson listën e asaj që e pasuron jetën, ndoshta komunikimi kryeson listën e asaj që e pasuron jetën organizative. Prandaj le të pyesim: si po komunikojmë? A po ofrojmë konsum të shpejtë, apo po përgatisim diçka që i fton njerëzit të mblidhen, të shijojnë, të marrin pjesë?
Afërdita i gëzohet artit të të jetuarit më plotësisht përmes pranisë. Libri sugjeron se oreksi nuk është ndjesi që duhet shtypur, por që duhet të kultivohet me mençuri. Në këtë frymë, ndoshta edhe komunikimi në punë meriton të njëjtin respekt që i japim vaktit të përgatitur me kujdes.
Kur komunikimi ushqen, kultura lulëzon. Dhe lulëzimi, si gatimi i mirë, nuk ndodh kurrë rastësisht.






















