Ndërtekst 23 Nëntor 2025, 11:08 Nga VNA

Një dhomë e ndërtuar vetë

Ndaje në Whatsapp
Një dhomë e ndërtuar vetë

“Nuk ka portë, kyç apo shul që mund t’ia vësh lirisë së mendjes sime”.

— Virxhinia Ulf (Virginia Woolf), Një dhomë më vete (A Room of One’s Own)

Duke lexuar Një dhomë më vete të Virxhinia Ulfit, mendja më shkoi jo te dhomat në kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë, por te arkitektura e padukshme e hapësirës: kujt i jepet, kujt i ndahet me racion dhe kush mësohet në heshtje të ndjejë mirënjohje për çdo qoshe që i lihet.

Dhomat e Ulfit nuk janë thjesht vende për të shkruar. Ato janë vende ku mendimit i lejohet të përfundojë së formuari pa ndërhyrje. Dhomat për të cilat mendoj unë janë të një natyre tjetër. Kam qenë në vende pune ku hapësira trajtohej si privilegj. Dikush fliste dhe dhoma zgjerohej. Dikush tjetër fliste dhe dhoma sikur tkurrej përreth tij, fjalitë i ndërpriteshin e të tjerët flisnin sikur të mos e dëgjonin.

Ky tekst nuk është një reflektim për gratë në vendin e punës. Është për këdo që shumica vendos ta shpallë të huaj.

E vërteta është se disa prej nesh hyjnë në dhomat e vendeve të punës duke bartur mbi vete histori të qortimeve se zëmë “shumë vend”. Kështu, mësojmë të tkurremi dhe të flasim me fjali të redaktuara. Bëhemi arkitektët e mpakjes sonë, shumë përpara se dikush të na e kërkojë.

Ulfi shkroi për dhomat si hapësira mundësie, si vende ku mendja mund të shpalosej pa gjykim apo ndërprerje. Por, teksa e lexoja librin në vitin 2025, mendja më kthehej disa vite më parë, tek një dhomë e një lloji krejt tjetër, tek ajo dhomë ku disa njerëz ftoheshin vazhdimisht brenda, ndërsa “tjetri”, “i huaji”, lihej mizorisht jashtë.

Disa organizata kanë dhoma që nuk figurojnë në planimetrinë e ndërtesës. Unë i quaj “Odat e Fisanakëve”. Ato janë hapësirat ku gjenden tryezat rreth të cilave vendimet merren shumë përpara se të shpallen, shpesh me një filxhan kafeje në dorë, shpesh mes të qeshurash, gjithmonë me ata që janë pjesëtarë të fisit.

E pastaj, janë dhe ato dhomat e errëta ose qoshet e korridorit që rezervohen vetëm për të huajin.

Argumenti i Ulfit se grave u duhen para dhe një dhomë më vete për të shkruar letërsi çuditërisht shndërrohet në metaforë për gjithçka që i ndodh cilitdo person që hyn në një sistem si “tjetri”, si “i huaji”. E ndjen menjëherë. Koreografia skuthe e përjashtimit. Mënyra si mbyllen dyert e bisedave pa prekur asnjë menteshë. Mënyra si ndahet hapësira: e bollshme për disa, e racionuar për të tjerët.

Disa prej nesh ftohen në dhomën ku mbushen filxhanët e kafesë e ku ndërtohen aleancat, ku bisedat e vërteta zhvillohen përpara se të nisë mbledhja formale. Të tjerët shoqërohen në dhomën me mure xhami, në atë dhomën që duket transparente, por funksionon si një gijotinë, ku mesazhi “të huaj nuk lejohen” jepet në prani të atyre që tashmë kanë vendosur në “Odën e Fisanakëve” se ti nuk bën pjesë.

Kështu, me kalimin e kohës e kupton se dhomat nuk janë vetëm hapësira fizike. Janë ekosisteme emocionale që përcaktojnë kush gëzon luksin të flasë lirshëm dhe kush duhet të peshojë çdo fjalë. Kush lejohet të zgjerohet dhe kush duhet të paloset gjithnjë e më i vogël deri sa thuajse të venitet.

Një dhomë më vete, në kuptimin që i jep Ulfi, është ajo hapësirë ku vetja mbetet e paprekur, ku s’je kurrë në rrezik të çmontohesh. Ajo ofron idenë se edhe kur ta mohojnë hyrjen, kontekstin apo përkatësinë, mendja jote mbetet sovrane. Është një dhomë e brendshme ku asnjë turmë s’mund të hyjë, asnjë mur xhami s’mund të të bëjë të lëndueshme dhe asnjë përjashtim s’mund të të fshijë.

Ajo dhomë e brendshme kërkon kohë që të fortifikohet. Sidomos pasi ke mbetur jashtë vendeve ku lidhjet zhvillohen. Sidomos pasi je ftuar vetëm në dhomat ku pritet të jesh mësimi dhe spektakli. Sidomos pasi kupton se disa kolegë nuk të shohin si të barabartë, por si ajo që thyen identitetin e grupit.

Por, ekziston gjithmonë edhe një dhomë që fisanakët nuk mund ta mbyllin. Është dhoma që e ndërton vetë. Dhoma që Ulfi besonte se çdo grua e meriton, vetëm sepse ekziston. Dhoma që besoj se të gjithë e meritojmë, vetëm sepse ekzistojmë. Kjo është dhoma që ia vlen të mbrohet, sidomos kur të gjithë fisanakët e tjerë urdhërohen të të shtyjnë drejt derës së daljes.

Ajo dhomë nuk është luks. Është themeli i dinjitetit.

Video

Zotërinj udhëheqësa a mund të rrini në rradhë? E keni problem të prisni si të gjithë? Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar ndaj eskortës së Presidentit Bajram Begaj në trafikun e Tiranës. Ai thotë se udhëheqësit duhet të presin në radhë njësoj si qytetarët dhe se thyerja e radhës në rrugë është e paligjshme dhe arrogante. Deputeti thekson se përfitimi kohor është vetëm 8–10 minuta. Ai sugjeron që zyrtarët të dalin më herët nga zyrat për të shmangur vonesat. Braçe kritikon Policinë e Shtetit që, sipas tij, garanton shkeljen e ligjit nga eskortat. "Ne ane tjeter, eshte irrituese qe kete e garanton POLICIA; U kenaqa pardje kur pashe qe policia me dron identifikonte shtetasit qe thyenin rradhen ne shkelje te ligjit ne Unazen e Madhe-i ndeshkoi atje. Po ketu? Policia ne shkelje te rradhes pa asnje arsye madhore; policia dhe udheheqesit po na mesojne as te gezohemi dhe as ti levdojme kur bejne mire!" shkruan Braçe

Ivanka Trump, ka postuar në rrjetet sociale disa pamje nga Zvërneci dhe bregdeti i Vlorës. Në fotot dhe videot shfaq peizazhe natyrore, si deti apo gjelbërimi i zonës, ndërsa në sfond dëgjohet kënga shqiptare “Luleborë”.

Emisari amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur në Moskë, ku do të takohen me Vladimir Putin. Detajet e agjendës së takimit nuk janë bërë publike deri më tani, por pritet të përfshijnë çështje bilaterale dhe diskutime mbi zhvillimet rajonale.

Para darkës së parashikuar sot në mbrëmje, Ivanka Trump është ndalur në Kryeministri, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme