Opinion 12 June 2026, 12:07 Nga VNA

Ditmir Bushati në 35-vjetorin e PS: Protestat tregojnë se kemi tradhtuar zotimet tona

Ndaje në Whatsapp
Ditmir Bushati në 35-vjetorin e PS: Protestat tregojnë se kemi

Nga Ditmir Bushati

Protestat e pazakonta që kanë përfshirë Shqipërinë dhe disa qytete të botës ku jetojnë shqiptarë mund të përkufizohen si protesta të dinjitetit. Ato nuk po organizohen rreth një partie politike apo një lideri të caktuar, por rreth një sërë vlerash dhe shqetësimesh të përbashkëta që kapërcejnë ndarjet tradicionale politike. Në këtë kuptim, Tirana po shfaqet si një hapësirë qytetare ku kërkohet një Shqipëri e re, e bazuar te pjesëmarrja, drejtësia dhe dinjiteti.

Ajo që nisi si reagim ndaj kufizimit të aksesit në hapësira publike dhe shqetësimeve për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore, u shndërrua shpejt në një debat më të gjerë mbi vetë demokracinë shqiptare. Në thelb të kësaj lëvizjeje qëndron pyetja se kush vendos për të ardhmen e vendit dhe në interes të kujt merren vendimet që prekin komunitetet dhe pasuritë publike.

Për më shumë se tri dekada tranzicion, shqiptarët kanë parë se si një pjesë e konsiderueshme e aseteve publike është administruar pa konsultim real me qytetarët. Shpesh komunitetet vendore janë përballur me vendime të marra nga lart, duke u informuar për to vetëm pasi proceset kanë nisur dhe faktet janë bërë të pakthyeshme.

Pabarazitë sociale dhe ekonomike janë thelluar. Një pjesë e vogël e shoqërisë ka përqendruar pasuri dhe pushtet, ndërsa një numër i madh qytetarësh përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike, pasiguri dhe mungesë perspektive. Kjo situatë nuk shihet më si pasojë e zhvillimeve normale të ekonomisë së tregut, por si rezultat i një marrëdhënieje të ngushtë mes pushtetit politik, interesave ekonomike, mediave dhe elementëve të krimit të organizuar.

Pikërisht për këtë arsye protestat e ditëve të fundit kanë marrë një domethënie që shkon përtej një kauze të vetme. Ato përfaqësojnë kundërshtimin ndaj një modeli zhvillimi që perceptohet si përjashtues dhe që nuk garanton shpërndarje të drejtë të përfitimeve ekonomike dhe sociale.

Një reflektim serioz politik është i domosdoshëm. Veçanërisht për Partinë Socialiste, e cila erdhi në pushtet me premtimin për t’u dhënë fund fenomeneve më problematike të tranzicionit shqiptar. Shumë nga pritshmëritë e krijuara në vitin 2013 lidhen me drejtësinë sociale, shtetin e së drejtës, llogaridhënien dhe qeverisjen në funksion të qytetarëve.

Sot, një pjesë e opinionit publik vlerëson se ekziston një distancë e konsiderueshme mes këtyre premtimeve dhe realitetit. Protestat janë shenjë e këtij zhgënjimi. Mohimi i shqetësimeve qytetare, përqendrimi vetëm te numrat e pjesëmarrjes apo etiketimi i protestuesve nuk adreson shkaqet që kanë sjellë këtë pakënaqësi.

Një nga sfidat më të mëdha për demokracinë shqiptare mbetet raporti mes shtetit dhe pushtetit. Kur pushteti fillon të identifikohet me shtetin dhe kritika ndaj qeverisjes paraqitet si kritikë ndaj vendit, demokracia humbet një nga mekanizmat e saj më të rëndësishëm: aftësinë për vetëkorrigjim. Në këto kushte, llogaridhënia zëvendësohet nga besnikëria, ndërsa debati publik nga konformizmi.

Po aq shqetësues është edhe dobësimi i demokracisë së brendshme në partitë politike. Partitë nuk dështojnë vetëm kur humbasin zgjedhjet; ato dështojnë edhe kur humbasin aftësinë për të dëgjuar zërat kritikë brenda vetes. Një parti që dëgjon vetëm duartrokitjet humbet kontaktin me realitetin dhe me pritshmëritë e qytetarëve.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria përballet me sfida të mëdha sociale dhe ekonomike: largimin e të rinjve, vështirësitë për strehim, presionin mbi shtresën e mesme, pabarazitë territoriale dhe mungesën e një modeli zhvillimi që krijon mirëqenie të shpërndarë në mënyrë të drejtë.

Përballë këtyre sfidave, vendi ka nevojë për një ripërtëritje demokratike. Një proces që garanton ndarjen e shtetit nga pushteti, forcon institucionet, zgjeron pjesëmarrjen qytetare dhe krijon mekanizma që pengojnë përqendrimin e tepruar të pushtetit politik dhe ekonomik.

Shqipëria ka nevojë për një model të ri zhvillimi që vendos në qendër interesin publik, drejtësinë sociale, mundësitë e barabarta dhe kohezionin shoqëror. Ka nevojë për institucione që funksionojnë për qytetarët dhe jo për grupet e privilegjuara. Ka nevojë për një kulturë politike ku pushteti shihet si përgjegjësi dhe jo si qëllim në vetvete.

Shqiptarët nuk meritojnë të zgjedhin vazhdimisht mes frikës dhe zhgënjimit. Ata meritojnë të zgjedhin mes vizioneve të ndryshme për të ardhmen. Sfida e vërtetë për çdo forcë politike nuk është ruajtja e pushtetit, por fitimi dhe meritimi i besimit të qytetarëve, çdo ditë, nga e para.

Vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohet një Shqipëri e re.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme