
Opinion nga Muriel
Në filmin e famshëm The Truman Show, personazhi kryesor jeton në një botë të projektuar në mënyrë perfekte nga një regjisor gjenial. Çdo gjë është e kuruar, pemët janë të lyera, fqinjët buzëqeshin me skenar dhe dielli lind me pult. Por në fund, Trumani zbulon se e gjithë ajo parajsë estetike ishte thjesht një kafaz i madh studioje televizive.
Kur vjen puna te rotacioni politik në Shqipëri, debati publik shpesh ngjan me audiencën e asaj studioje, që pyet e tmerruar: “Nëse ikën ky regjisor, kush do ta menaxhojë dritën dhe skenën?” Kjo pyetje është vetë triumfi i sistemit aktual. Ajo e redukton një komb të tërë në një spektator pasiv që ka frikë se mos i fiket ekrani.
Por e vërteta e madhe e këtij kapitulli nuk është personale, ajo është strukturore: Rama duhet të largohet jo sepse vendi ka nevojë për një emër tjetër në zyrë, por sepse sistemi që ai ka ndërtuar nuk prodhon më besim, drejtësi, konkurrencë, zhvillim të ndershëm dhe shpresë për qytetarët. Kur një sistem pushon së prodhuari këto elemente bazë, të insistosh te menaxheri është si të lyesh me tualet një ndërtesë që po shembet nga themelet.
Kjo krizë e thellë strukturore manifestohet fillimisht përmes një lloj drejtësie kafkiane, e cila shërben si një alibi e përhershme për erozionin e pariparueshëm të besimit publik. Në kryeveprën e tij Procesi, Franz Kafka përshkruan një makineri burokratike dhe gjyqësore ku njeriu ndihet gjithmonë fajtor përpara një autoriteti të padukshëm që nuk e kontrollon dot. Sistemi ynë sot ka arritur një nivel të ngjashëm absurdi.
Na premtohet një drejtësi e re, e pavarur, pothuajse hyjnore. Por sa herë që plas një skandal, regjia qendrore na thotë se “fajin e ka individi që ka ngrënë kumbulla pas shpinës sime”. Në Shqipërinë e sotme, besimi tek institucionet është zëvendësuar nga besimi te fati. Qytetari nuk e sheh ligjin si mburojë, por si një rrjetë që kap vetëm mizat e vogla dhe griset kur përplaset me grushtin e të fortëve.
Siç shkruante dikur filozofi Thomas Hobbes në Leviathan, pa një kontratë sociale të ndershme, jeta e njeriut mbetet “e vetmuar, e varfër, e pështirë, kafshërore dhe e shkurtër”. Kur shteti sillet si korporatë private, besimi publik vdes dhe mbetet vetëm nënshtrimi pragmatik.
Në të njëjtën kohë, kjo amnezi institucionale reflektohet thellë në tregun ekonomik, ku fryma e Orwell-it dhe tregimi i tij i famshëm mbi Fermën e Kafshëve shpjegojnë më së miri vdekjen e konkurrencës dhe instalimin e një modeli të paracaktuar. Nëse do të duhej të zgjidhnim një libër për të përshkruar ekonominë tonë “të lirë”, ky roman do të fitonte pa konkurrencë.
Parimi i madh i tregut shqiptar sot është i qartë: të gjitha bizneset janë të barabarta, por disa biznese janë më të barabarta se të tjerat. Nuk ka më nevojë për inteligjencë tregu, inovacion apo plane gjeniale biznesi. Formula e suksesit është zhveshur nga çdo vlerë meritokratike dhe është kthyer në një ekuacion feudal: afërsia me oborrin mbretëror garanton akses të plotë në burime.
Kjo logjikë prodhon çdo ditë shfaqje humori si ato të tenderave me një garues, ku fituesi dihet përpara se të shpallet gara, ose monopolet e PPP-ve, që përfaqësojnë një lloj kapitalizmi klientelist ku risku mbetet i publikut, ndërsa fitimi mbetet rreptësisht privat. Kjo nuk është thjesht zhvillim i pandershëm; është vrasje me paramendim e frymës sipërmarrëse.
Kur të rinjtë e kuptojnë se suksesi nuk varet nga ajo që dinë, por nga ai që gjejnë në zyrë, tregu pushon së qeni një hapësirë konkurrence dhe kthehet në një arenë ku fituesit janë paracaktuar që në dhomat e zhveshjes.
Kjo ngufatje e meritokracisë e vendos shoqërinë përpara një zgjedhjeje ekzistenciale, të ngjashme me dilemën e pilulës së kuqe në filmin The Matrix, duke shpjeguar kështu edhe eksodin masiv të vetë shpresës kombëtare. Në këtë film, personazhit kryesor i jepet një zgjedhje: të marrë pilulën blu dhe të vazhdojë të jetojë në një iluzion të bukur, ose të marrë pilulën e kuqe dhe të shohë realitetin e ashpër.
Propaganda jonë kombëtare ofron çdo ditë me shumicë pilulën blu: pallate shumëngjyrëshe, satelitë në hapësirë, festivale dhe shifra turistësh që rriten si me magji. Por shqiptarët po zgjedhin masivisht pilulën e kuqe. Dhe kur e marrin atë, ata shohin se pas fasadës me drita LED fshihet një realitet ku spitalet nuk kanë ilaçe, arsimi prodhon diploma pa dije dhe kostot e jetesës konkurrojnë me ato të Bashkimit Evropian, ndërsa pagat mbeten në nivel rajoni.
Ky eksod modern nuk është thjesht ekonomik; njerëzit po ikin sepse sistemi u ka tharë burimin e fundit të jetës: shpresën. Ikin sepse e kuptojnë që nuk mund të ndryshojnë rregullat e një loje ku zari është i rremë që në fillim.
Prandaj, duke parë përtej figurës së thjeshtë të një menaxheri krize, zgjidhja kërkon një ndryshim rrënjësor të paradigmës sonë politike. Karl Marx shkruante te Tetëmbëdhjeta Brymer e Luigj Bonapartit se historia përsëritet dy herë: “herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë”. Ne e kemi jetuar tragjedinë e sistemeve të mbyllura dhe autokratike; sot po jetojmë farsën e një demokracie që funksionon si studio televizive.
Për këtë arsye, largimi i Edi Ramës nuk është një çështje zëvendësimi emrash. Nëse thjesht ndërrojmë aktorin kryesor, por mbajmë të njëjtën skenografi — të njëjtën administratë të militarizuar, të njëjtat media të blera, të njëjtën ekonomi të kapur nga pesë oligarkë dhe të njëjtin ligj zgjedhor që mbron kryetarët — ne thjesht do të kemi blerë një biletë për të parë të njëjtën shfaqje, por me një aktor tjetër.
Largimi i tij është i domosdoshëm si akti i parë i thyerjes së këtij iluzioni optik. Shqipëria nuk ka nevojë për një “Babi” të ri kombëtar apo një shpëtimtar tjetër karizmatik. Vendi ka nevojë për përmbysje sistemike: ku institucionet janë më të vjetra dhe më të forta se njerëzit që ulen në to, ku ligji nuk ka sy dhe ku suksesi është sërish një mundësi për të gjithë, jo një privilegj për të përzgjedhurit.





















