
Nga Isa Myzyraj
Kryeministri Edi Rama, ka paraqitur një raport për aktivitetin e mediave të bërë me Inteligjencë Artificiale ku janë analizuar 106,962 artikuj mediatikë, ndërsa raporti është përpunuar për 12 ditë.
Përmes gjetjeve empirike të “studimit” të bërë nga ministrja Diella, Kryeministri përpiqet të bindë publikun se në Shqipëri ka liri të medias.
Por mjafton vetëm një lexim i shpejtë dhe nuk është e vështirë të kuptohet se ministrja Diella ka po aq njohuri për metodologjinë dhe statistikën sa shefi i saj. “Studimi” në fakt ka probleme serioze metodologjike, logjike dhe shkencore, të cilat e bëjnë të pamundur qasjen e tij si provë e besueshme për të vlerësuar lirinë apo “kapjen” e mediave në Shqipëri. Problemi kryesor nuk qëndron vetëm tek rezultati që prodhon, por dhe tek mënyra se si shkohet në atë rezultat, metodologjia që është përdorur dhe padyshim për atë që e bën një studim të tillë, cili është profili i individëve. Në formën e prezantuar nga Edi Rama vërehet qartas një përzierje e analizës statistikore të përmendjeve politike me koncepte shumë më komplekse si pluralizmi mediatik, pavarësia editoriale dhe liria e medias, pa qenë në gjendje t’i masë realisht këto fenomene.
Së pari, studimi ngatërron “share of voice” me lirinë e medias. Këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Për ta bërë më konkrete, fakti që opozita përmendet më shumë në artikuj nuk do të thotë automatikisht se media është e lirë dhe opozita ka hapësirën e duhur, sikundër fakti që qeveria përmendet më pak nuk provon mungesë influence.
Opozita mund të marrë shumë hapësirë mediatike për shkak të konfliktit politik, retorikës agresive, problemeve të brendshme, skandaleve apo deklaratave të forta, ndërkohë që temat më sensitive për pushtetin mund të shmangen plotësisht nga media. Pra, matja e frekuencës së përmendjeve nuk mat lirinë aspak editoriale.
Një nga problemet më të mëdha është se studimi nuk analizon përmbajtjen reale editoriale. Gjatë kërkimit ai përdor fjalë-kyçe dhe përmendje emrash politikë, por si robot që është nuk arrin të kuptojë kontekstin, sarkazmën, peshën editoriale apo mënyrën se si trajtohet lajmi. Për shembull, një artikull mund të përmendë opozitën vetëm në mënyrë sipërfaqësore, si pjesë e një reagimi të qeverisë, pa i dhënë asaj hapësirë reale informative. Në praktikë, shumë media publikojnë deklarata rutinë të opozitës për konsum formal, por shmangin investigime serioze të deputetëve të veçantë ndaj qeverisë ose debate që prekin interesat reale të pushtetit. Kjo diferencë nuk kapet dot nga algoritmi i studimit, ose e thënë ndryshe Diella ende nuk është aq e zonja sa ta kuptojë këtë.
“Studimi” gjithashtu ka një problem themelor të transparencës. Në kërkimin shkencor serioz, një studim duhet të jetë i riprodhueshëm, studiues të tjerë duhet të jenë në gjendje të arrijnë në të njëjtin rezultat duke përdorur të njëjtën metodologji. Në këtë rast, për të gjithë njohësit e lirisë së medias është shumë e qartë se në asnjë formë rezultati nuk del siç i ka dalë inteligjencës artificiale të personave të panjohur që e kanë porositur studimin.
Një problem tjetër është se “studimi” trajton të gjitha mediat si të barabarta, kur në realitet audienca e tyre është krejt e ndryshme. Një portal i vogël trajtohet statistikisht njësoj si një televizion kombëtar me qindra mijëra shikues në ditë. Kjo deformon rezultatin. Në Shqipëri, pjesa dërrmuese e audiencës kontrollohet nga pak televizione kombëtare dhe platformat e tyre online. Nëse nuk analizohet pesha reale e audiencës dhe ndikimit, atëherë rezultati bëhet artificial. Një qasje serioze do të duhej të peshonte ndikimin sipas audiencës, shikueshmërisë, klikimeve reale dhe penetrimit në treg.
Studimi injoron krejtësisht dimensionin ekonomik të lirisë së medias. Një element thelbësor për ngritjen dhe mbijetesën e çdo media. Në Shqipëri, një pjesë e madhe e pronarëve të mediave dhe TV kryesore kanë interesa të mëdha biznesi jashtë medias dhe varen nga kontrata publike, lejet, koncesionet apo marrëdhëniet me qeverinë. Tashmë nuk nevojitet asnjë studim për të provuar se kjo është një nga mënyrat kryesore përmes së cilës ndikohet editoriali. Një media mund të publikojë deklarata të opozitës çdo ditë dhe prapë të jetë e kushtëzuar editorialisht kur bëhet fjalë për çështje sensitive që prekin interesat e pushtetit ekonomik. Studimi nuk analizon pronësinë, konfliktin e interesit, varësinë ekonomike apo ndikimin e reklamave shtetërore, elemente që janë thelbësore në çdo analizë serioze të pluralizmit mediatik.
Një tjetër dobësi është se studimi përdor si provë “balancën numerike” mes qeverisë dhe opozitës, por nuk mat cilësinë e mbulimit. Nuk ka rëndësi vetëm sa herë përmendet një aktor politik, por si përmendet ai: a sfidohet? a analizohet? a investigohen akuzat? a ka gazetari kritike? Një media mund t’i japë 30 minuta opozitës me deklarata rutinë pa asnjë interes për publikun dhe të shmangë reagime të deputetëve të opozitës për çështje konkrete që prekin interesin e bizneseve të mëdha të lidhura ngushtë me qeverinë. Kjo është arsyeja pse organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias nuk e matin pluralizmin vetëm me numërim artikujsh.
“Studimi” ka edhe një problem logjik kur krahason Shqipërinë me vende si Bjellorusia, Rusia apo Hungaria vetëm mbi bazën e “share of voice”. Sistemet mediatike nuk mund të krahasohen në mënyrë lineare vetëm me përqindje përmendjesh politike. Në vende autoritare ekzistojnë mekanizma shumë më kompleksë kontrolli: autocensurë, pronësi e centralizuar, presion ekonomik, kapje e reklamave, kontroll institucional, kërcënime ligjore, mungesë investigimesh dhe intimidim i gazetarëve. Këto nuk maten me algoritme fjalë-kyçe.
E fundit por jo më pak e rëndësishme është mungesa e analizës së censurës indirekte dhe vetëcensurës. Në Shqipëri, presioni ndaj mediave shpesh nuk manifestohet me ndalim formal të opozitës, por me shmangie tematike. Çështje të caktuara nuk trajtohen, investigimet frenohen, gazetarët largohen, reklamat hiqen ose bizneset ushtrojnë presion ekonomik. Pa llogaritur këtu që në disa raste presioni nuk është vetëm ekonomik dhe ky është një fakt që reflektohet në të gjitha raportet ndërkombëtare për median në Shqipëri.
Për fat të keq, studimi i prezantuar nga Edi Rama nuk arrin të provojë atë që pretendon. Në rastin më të mirë, ai tregon se Inteligjenca Artificiale mund të numërojë artikuj. Por kur përdoret për të bindur publikun se në Shqipëri media është e lirë, ndërsa gazetarët flasin gjithnjë e më shpesh për presion, vetëcensurë dhe varësi ekonomike, atëherë problemi nuk është më teknologjia. Problemi është propaganda që përpiqet të vishet si shkencë.






















