
Nga Sidorela Vatnikaj
Studentët serbë, të cilët prej një viti e gjysmë protestojnë kundër regjimit të Aleksandar Vučić, paskan dalë me një memorandum ku në qendër është pretendimi se “Kosova e Metohija” janë pjesë aq e pandashme e shtetit të Serbisë, sa që vënia në dyshim e këtij fakti bën që “Kodi i tyre të humbasë kuptimin”.
Memorandumi pretendohet të jetë shprehje e një vullneti të bashkuar të studentëve, të cilët e shohin “Kosovën dhe Metohinë” si “borxhin historik ndaj paraardhësve dhe pasardhësve të tyre”.
Unë kam lindur në qershor të vitit 1999, disa ditë para se lufta në Kosovë të përfundonte. E vetmja bindje që kam pasur dhe që ka qenë e palëkundur deri para pak kohësh, ka qenë se lufta, terrori, genocidi dhe çdo formë shfarosjeje i përkasin një tjetër epoke, asaj në të cilën unë ende nuk kisha lindur.
“Borxhi” që studentët serbë thonë se ia “detyrojnë paraardhësve dhe pasardhësve të tyre” duket si fotografia më poshtë: një rrobë trupi e një gruaje shqiptare të dhunuar, e gjetur në Prizren gjatë sulmeve, përdhunimeve, masakrave dhe dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve nga paraardhësit e studentëve serbë.
Në një tjetër kontekst historik, ky memorandum i studentëve serbë — të gjithë të lindur pas përfundimit të luftës dhe pas “dënimit” të agresorëve, në një realitet ku Kosova Republikë është fakt i pandryshueshëm — do të duhej të merrej më shumë si budallallëk dhe injorancë.
Megjithatë, në një kontekst global dhe gjeopolitik ku ideja dhe realiteti i luftës e genocidit janë rikthyer si gjuhë e zakonshme e politikës ndërkombëtare, ky memorandum duhet të na detyrojë të reflektojmë mbi botën e re që po ndërtohet, kush përfiton prej saj dhe kush mbetet viktimë.
Për fat të keq, sot kemi humbur idealin e një bote pa luftë dhe pa genocid. Në këtë kuptim, ideja e studentëve serbë për një Serbi të madhe nuk është thjesht nostalgji nacionaliste, por vazhdimësi e një mendësie shoviniste, ekspansioniste dhe thellësisht jodemokratike. Një ide që nuk ndërtohet mbi bashkëjetesën, barazinë apo të drejtën e popujve për vetëvendosje, por mbi mohimin e krimeve, glorifikimin e nacionalizmit dhe pretendimin për dominim mbi tjetrin.
Kur breza të rinj, të lindur pas luftës, zgjedhin të trashëgojnë jo reflektimin kritik ndaj së kaluarës, por mitet nacionaliste që justifikuan genocidin, atëherë problemi nuk është më vetëm historia, por e ardhmja që po projektohet.
Pa përballje reale me krimet e së kaluarës, pa refuzim të shovinizmit dhe pa pranimin e Kosovës si realitet politik e historik, çdo pretendim për demokraci mbetet bosh.
Edhe vetë protesta, e cila ka qenë frymëzuese për mënyrën se si nisi dhe iu kundërvu për muaj me radhë një regjimi të korruptuar dhe autoritar, e humbet çdo kuptim në momentin që kjo lëvizje studentore zgjedh të vendosë në qendër “Kosovën dhe Metohinë” si “borxh historik”.
Në atë çast, ajo pushon së qeni vetëm protestë kundër një regjimi dhe kthehet në vazhdimësi të një projekti politik nacionalist, prej të cilit mbijeton edhe vetë Vuçiçi.
Dhe ndoshta kjo është e vetmja gjë që duhet marrë seriozisht në gjithë këtë marrëzi: fakti që problemi nuk është më vetëm një individ apo një parti, por një mendësi kolektive që vazhdon të ushqehet brez pas brezi.
Sigurisht që studentët 20-vjeçarë nuk kanë përgjegjësi për krimet e paraardhësve të tyre. Por kanë përgjegjësi të plotë që këto krime të mos përsëriten.
Dhe kjo përgjegjësi fillon pikërisht aty ku refuzohet glorifikimi i nacionalizmit, mohimi i dhunës dhe romantizimi i projekteve që kanë sjellë luftë dhe genocid në Ballkan.
Brezi i ri nuk mund të zgjedhë historinë që trashëgon, por mund dhe duhet të zgjedhë se çfarë bën me të.
Nëse zgjedh të riprodhojë të njëjtën logjikë shoviniste të së kaluarës, atëherë nuk kemi të bëjmë me një shkëputje nga regjimet dhe ideologjitë që prodhuan krime, por me vazhdimësinë e tyre në forma të reja.






















