
Opinion nga Muiel
Sot, më 25 maj 2026, Edi Rama vjen në Durrës për të mbushur Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”. Ose, më saktë, për të provuar edhe një herë se në Shqipëri një sallë mbushet më shpejt sesa jepet një përgjigje.
Sepse Durrësi ka pyetje.
Ka pyetje për portin. Për rindërtimin. Për TID-in. Për betonin. Për shtëpitë. Për qytetin që prej vitesh trajtohet si dekor politik dhe jo si bashkësi qytetarësh.
George Orwell shkruante se gjuha politike shërben për t’i bërë gënjeshtrat të tingëllojnë të vërteta dhe për t’i dhënë pamje solide “erës së pastër”. Në Durrës, kjo fjali nuk tingëllon si citim filozofik; tingëllon si përshkrim pune.
Sepse prej vitesh qytetit i flitet me fjalë të mëdha: vizion, transformim, rilindje, zhvillim, modernizim. Fjalë aq të bukura, sa vetëm realiteti i prish.
Rama nuk vjen sot për pyetje. Vjen për skenë, kamera dhe duartrokitje. Vjen në qytetin që Partia Socialiste e drejton në nivel vendor prej vitit 2007 dhe që qeveria e tij e ka pasur nën pushtet qendror prej vitit 2013. Pra, nuk po vjen në një qytet të panjohur. Po vjen në qytetin ku pushteti i tij politik ka pasur kohë të mjaftueshme për të premtuar, për të vendosur, për të ndërtuar, për të gabuar dhe, mbi të gjitha, për të dhënë llogari.
Vetëm se Durrësi nuk është ekspozitë suksesi. Është qytet. Dhe qytetet nuk maten me flamuj në sallë, por me jetën e njerëzve jashtë saj.
Nuk do të ishte çudi që sot salla të jetë plot. Në Shqipëri, mitingu shpesh nuk është dëshirë; është detyrë e heshtur, sidomos për administratën. Mund të vijnë njerëz nga qytete të tjera, militantë të vjetër e të rinj, punonjës institucionesh, duartrokitës me orar dhe buzëqeshje të rreshtuara mirë.
Por një sallë e mbushur nuk është provë dashurie. Është provë organizimi. Është Excel politik me karrige. Është entuziazëm me listë prezence. Është demokraci me autobus.
Dashuria për qytetin matet ndryshe: kur banori dëgjohet para se t’i preket shtëpia; kur porti nuk trajtohet si pronë partie; kur rindërtimi nuk zvarritet; kur qyteti nuk kujtohet vetëm kur duhet të duket bukur në transmetim.
Rama mund ta mbushë sallën. Por nuk mund ta mbushë Durrësin me harresë.
Porti i Durrësit ishte zemra ekonomike dhe historike e qytetit. Punë, tregti, det, identitet. Pastaj erdhi “vizioni”. Dhe në Shqipëri, kur pushteti thotë “vizion”, qytetari duhet të shohë menjëherë çfarë prone publike po i ikën nga duart.
Porti u kthye në projekt marinash, kullash dhe premtimesh luksi. Durrsakëve iu fol për jahte, turizëm elitar dhe transformim historik. Por pyetja mbeti e thjeshtë: kush fitoi dhe çfarë fitoi qyteti?
Durrësit iu mor porti real dhe iu dha broshura. Iu mor funksioni publik dhe iu dha renderi. Iu mor një pjesë e identitetit dhe iu premtua një e ardhme ku qytetari zakonisht sheh nga larg, ndërsa të tjerët shohin nga ballkonet.
Ky është zhvillimi modern sipas propagandës: populli në trotuar, luksi në katalog. Qytetari në pritje, investitori në projekt. Durrësi në poster, interesi në kontratë.
Edhe projekti TID paraqitet me fjalë të bukura: rikualifikim, restaurim, rivitalizim, trashëgimi. Fjalë kaq të bukura, sa për pak harron se pas tyre ka banorë që pyesin: “Po shtëpia ime? Po prona ime? Po jeta ime?”
Kjo është mjeshtëria e qeverisjes me fjalor luksoz: shembja quhet ndërhyrje urbane, zhvendosja quhet transformim, pasiguria quhet konsultim, ndërsa qytetari që kundërshton quhet pengesë për zhvillimin.
Durrësi është qytet i lashtë, por shpesh trajtohet si faqe bosh. Sikur historia fillon kur nis projekti. Sikur banorët janë pengesë estetike. Sikur qyteti duhet t’i përshtatet maketit, jo qytetari të dëgjohet para maketit.
Prandaj protesta nuk është kundër zhvillimit. Është kundër zhvillimit që vjen me propagandë para garancisë dhe me buldozer para dialogut.
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, Durrësi u trondit rëndë. Njerëzit humbën banesa, siguri, kujtime. Qeveria premtoi rindërtim dhe kthim në normalitet.
Pastaj nisi pritja.
Në Shqipëri, pritja është institucion më vete. Qytetari pret dokumentin, pret përgjigjen, pret fondin, pret çelësin. Ndërkohë aktivitetet politike organizohen me shpejtësi kirurgjikale: skena vendoset, karriget rreshtohen, kamerat provohen, flamujt shpalosen.
Për miting, shteti punon si orë zvicerane. Për qytetarin, shpesh si sportel i mbyllur.
Kjo është arsyeja pse Durrësi nuk ka pse të duartrokasë. Qyteti nuk ka nevojë për një tjetër shfaqje. Ka nevojë për llogari.
Edi Rama nuk është i ri në pushtet. Nuk është kryeministër që sapo ka gjetur rrëmujë në zyrë. Ka 13 vjet që qeveris vendin, ndërsa Partia Socialiste e ka drejtuar Bashkinë e Durrësit që nga viti 2007. Pas kaq shumë vitesh, nuk flasim më për premtime. Flasim për bilanc.
Në Durrës, bilanci është i dukshëm: porti i kontestuar, banorë të pasigurt për projektet urbane, rindërtim i zvarritur, infrastrukturë problematike dhe një qytet që përdoret shpesh si vitrinë politike.
Pas 13 vitesh në qeveri dhe gati dy dekadash në bashki, nuk mjafton të thuash “do ta bëjmë”. Pyetja është më e thjeshtë dhe më e pamëshirshme: pse nuk e bëtë?
Sot durrsakët kanë çdo arsye të protestojnë paqësisht dhe me dinjitet. Jo për të prishur një aktivitet partie, por për të kujtuar se Durrësi nuk është pronë partie.
Nuk është sallë për t’u mbushur me administratë. Nuk është dekor për fjalime. Nuk është truall bosh për makete. Nuk është qytet që duhet të heshtë sa herë vjen kryeministri me kamera.
Durrësi është qytet me njerëz. Dhe njerëzit kanë të drejtë të pyesin, të kundërshtojnë, të protestojnë dhe të mos pranojnë që propaganda t’u shitet si zhvillim.
Mirë se erdhe në Durrës, zoti Rama.
Por këtë herë, qyteti nuk duhet të jetë publik. Duhet të jetë zë.






















