Ndërtekst 26 Tetor 2025, 14:13 Nga VNA

Çmimi kur ke të drejtë shumë herët

Ndaje në Whatsapp
Çmimi kur ke të drejtë shumë herët

“…njerëzit shpesh ndienin nevojën të gatuanin një anë të vetes për ta shfaqur para kalimtarëve — ashtu siç mund ta reklamonin në vitrinë — dhe se shfaqja e tillë s’duhej marrë shumë seriozisht pasi çasti të kishte kaluar”.

— Klara dhe Dielli, Kazuo Ishiguro

Gjithnjë më ka intriguar mënyra si njerëzit në punë kurojnë një version të caktuar të vetes, ose mendojnë se e po ia dalin. Shpesh, tërhiqem pak më prapa, në heshtje, dhe vëzhgoj versionet e lëmuara që aktrojnë në mbledhje, empatinë boshe të provave gjenerale në shtëpi, sinqeritetin e huazuar, vendosmërinë e shtirur nën të cilën gëlon frika se mos dikush i sheh si janë me të vërtetë. Ishiguro e kap këtë iluzion në mënyrë të përkryer te libri i tij Klara dhe Dielli, ku Klara, vëzhguesja e qetë, një inteligjencë artificiale, sheh teatrin tonë njerëzor me mahnitje, pafajësi dhe saktësi.

Klara qëndron pas vitrinës dhe sheh atë që të tjerët nuk e shohin. Ajo sheh tradhtitë e vogla të fshehura pas buzëqeshjeve, lodhjen që rri nën vetëbesim, frikën e mbështjellë me autoritet, ose zbrazëtinë e njerëzve. Klara është e programuar të kujdeset dhe shpreson se mirësia e saj do t’i sjellë mirëkuptim. Ajo është komunikuesja e ndjeshme që kupton modelet para të tjerëve, ajo që lexon nëntekstin teksa të tjerët ende diskutojnë sipërfaqen.

Ka diçka trazuese në atë mënyrë të të parit, kur je tepër e ndjeshme ndaj të vërtetës që jeton pas shfaqjes dhe kur nuk të vlerësojnë madje të keqkuptojnë për këtë. A e mbani mend atë gruan tjetër të keqkuptuar për të njëjtën arsye? Kasandrën?

Nëse jeni si unë, e dini për çfarë po flas. Ajo ndjesi që të vjen shumë herët. Paralajmërimi që askush s’do ta dëgjojë. Siguria e heshtur se një stuhi po afrohet, ndërkohë që të tjerët ende admirojnë diellin. Nuk është aftësi e parashikimit të së ardhmes. Është njohje e modeleve, e arritur nga përvoja. Por në hapësirat profesionale, të jesh një Klara apo një Kasandër mund të ndihet si mallkim. Ti je ajo që e nuhat stuhinë para se të bjerë pika e parë e shiut. Ajo që sheh lojërat e pushtetit para se të fillojnë. Ajo që lexon tonin më shpejt se të dhënat. Që njeh manipulimin nën hirin e shtirur. Që ndien rrezikun para se ta konfirmojnë email-et. Dhe je ajo që quhet paranojake, derisa befas del se ke pasur të drejtë.

Vendi i punës rrallëherë i shpërblen Klarat dhe Kasandrat. Inteligjenca e tyre emocionale bëhet barrë kur të tjerët preferojnë rehatinë para qartësisë. Prandaj Klara mëson të zbusë dhe hollojë atë që di, të përshtatet në heshtje, të përpiqet të jetë e dobishme edhe kur nuk shihet. Aftësia e saj për të kuptuar nuk vlerësohet. Roli i saj është të nënshtrohet, jo të ketë të drejtë.

Shpesh e mendoj Kasandrën si pararendësen e komunikuesve, të vëzhguesve, të atyre që ndiejnë çakordimin përpara se t’i vihet emërtim. Ajo u mallkua që të kishte të drejtë përpara se të tjerët të ishin gati ta përballonin të vërtetën. Po kështu, intuita e Klarës hidhet poshtë pikërisht sepse është e vërteta e thënë shumë herët. Vëzhgimi i saj trazon iluzionin e rendit pas të cilin njerëzit kapen fort. Ajo vazhdon të shërbejë, duke shpresuar se kujdesi do të mjaftojë, edhe kur aftësia e saj për të kuptuar pritet me mirësjellje të thatë.

Ishiguro e tregon me delikatesë se problem nuk është të shohësh. Çmimi paguhet për përpjekjet për t’i bindur ata që nuk duan të shohin. Të kuptosh modelet nuk është paranojë, por urtësi e fituar duke dëgjuar të tjerët që flisnin mbi kokën tënde.

Në disa kultura organizative, paraqitja e harmonisë ka më shumë vlerë se kërkimi i së vërtetës. Njerëzit preferojnë anën që kanë përgatitur për ta treguar, jo pasqyrën që zbulon se ç’fshehin poshtë saj. Të shohësh qartë në vende të tilla është njëkohësisht fuqi dhe ndëshkim. Por, të shohësh nuk është arrogancë. Është vëmendje.

E ka vlerën e vet edhe refuzimi për ta lënë ndërgjegjen të shuhet vetëm sepse të tjerët i frikësohen dritës së saj. Klara nuk reshti kurrë së besuari te Dielli, edhe kur qëndronte në hije. Në disa vende pune, kjo është pikërisht ajo që do të thotë rezistencë dhe integritet: të mos mohosh errësirën, por të vazhdosh të zgjedhësh të shohësh.

Të kesh të drejtë shumë herët të bën njeri të vetmuar, por është gjithashtu dëshmi se ke mbetur njeri i ndershëm dhe i vetëdijshëm në një botë që zgjedh gjumin. Është forma më e rrallë e forcës.

Video

Muzeu i Luvrit mbeti i mbyllur të hënën, duke lënë mijëra vizitorë të zhgënjyer, pasi stafi nisi një grevë në shenjë proteste ndaj kushteve të punës dhe mungesës së personelit. Punonjësit kërkojnë staf shtesë dhe masa për të përballuar mbipopullimin, në një periudhë me fluks të lartë turistësh për shkak të festave të Krishtlindjeve. Stafi i pritjes dhe sigurisë thekson se mbingarkesa e vizitorëve dhe mungesa e personelit po rrezikojnë sigurinë dhe funksionimin normal të muzeut më të vizituar në botë. Auditimet e mëparshme kanë paralajmëruar për dobësi strukturore në siguri, përfshirë zona që u shfrytëzuan edhe gjatë grabitjes së fundit.

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi të hënën rreth orës 17:30 në një ndërtesë banimi katërkatëshe në Trévoux, në periferi të Lionit, duke shkaktuar të paktën gjashtë viktima, përfshirë dy fëmijë të moshës 3 dhe 5 vjeç. Sipas autoriteteve lokale, një grua dhe tre fëmijët e saj ndodheshin në banesë në momentin e shpërthimit. Gruaja dhe djali i saj më i madh mbijetuan, ndërsa dy fëmijët më të vegjël, të nxjerrë nga rrënojat në gjendje arresti kardiak, u shpallën të vdekur pak më vonë nga ekipet e shpëtimit. Shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë dhe hetimet vijojnë.

Kur pret që të vdesë babai që të shesësh shtëpinë.

Në foltoren e sotme të PD përpara Kryeministrisë, e veçanta e kësaj jave ishte pjesëmarrja e Argita Berishës. Pas shumë kohësh ajo u rishfaq në protestat e opozitës, pikërisht në kohën kur në PD ka rinisur debati i brendshëm për lidershipin e saj.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme