Ndërtekst 30 Gusht 2025, 11:06 Nga VNA

Çasti kur je nën vështrim

Ndaje në Whatsapp
Çasti kur je nën vështrim

Një vështrim i vetëm bart fuqi të pamatë. Në çastin kur je nën vështrim, ti bëhesh më shumë se vetja jote; bëhesh gjykimi i dikujt tjetër.

Çfarë ndodh me dinjitetin njerëzor kur mënyra si të tjerët të vështrojnë të shndërron në etiketë ose trup, të shndërron në objekt vëzhgimi apo talljeje, ose më keq akoma, të jep mesazhin e qëllimshëm se je i padukshëm, prandaj i parëndësishëm? Energjia që mbart vështrimi formëson perceptimet. Mund të përkufizojë ose të plagosë, të zmadhojë gjykimin ose t’i japë jetë njohjes së tjetrit.

Vështrimi ka disa dimensione. Shpirtërisht, ai nuk është kurrë neutral, pasi pasqyron gjendjen e zemrës dhe i paraprin qëllimit e më pas veprimit. Në dimensionin etik, ai mbart përgjegjësi. Mënyra si i vështrojmë të tjerët mund të pohojë dinjitetin e tyre ose ta pakësojë atë. Në dimensionin shoqëror, ai funksionon si gjuha e padukshme që përcakton normat dhe marrëdhëniet e pushtetit.

Duke lexuar librin “Vështrimi” (“The Gaze”) nga Elif Shafak, e kuptova se si tregimet brenda tij hidhnin dritë mbi dhunën e perceptimit. Është libër për sytë: kush vështrohet, si vështrohet dhe sa copë të vetes humbet gjatë atij procesi. Personazhet e Shafakut jetojnë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, njësoj si njerëzit në vendin e punës. Në romanin e saj, vështrimi rrallëherë është i butë, njësoj si në vendin e punës. Vështrimi është pasqyra që zmadhon mizorinë, një reflektor që i shndërron njerëzit në kuriozitete, një gjykim i heshtur që plagos dhe përkufizon, njësoj si në vendin e punës.

Ky lloj gjykimi që lind nga akti në dukje i thjeshtë i të shikuarit është tepër i njohur edhe në vendin e punës, ku vështrimi është gjithkund. Nuk ka të bëjë vetëm me trupat fizikë, ose me vlerësimin e performancës, por edhe me mënyrën se si vëzhgohen aftësia, ambicia, dallimet ose stili personal. Vështrimi që rri pak më tepër pezull kur gabon. Ironia kur një grua mbi 40 vjeç propozon diçka. Vetulla e ngritur me qëllim që e shndërron kontributin tënd në pikëpyetje. Mënyra si disa shikohen për t’i konfirmuar, e të tjerë për t’i korrigjuar. Dhimbja e shikimeve përçmuese që një grup të hedh shpinës dhe ti rastësisht i sheh. Vështrimi i llogaritur kur u nevojitet diçka prej teje.

Këto shikime grumbullohen dhe të tregojnë sa pak ose sa shumë i përket një vendi apo sa i vlerësuar je si qenie. Rreziku nuk qëndron vetëm kur të përqeshin haptazi apo të shndërrojnë në objekt, por edhe kur të shohin përmes thjerrës që të redukton në një dimension të vetëm: “gruaja që është shumë këmbëngulëse”, “burri që është shumë i heshtur”, “kolegu që është i mirë vetëm për një gjë”, “vajza e re me stil që është vetëm për sy” e kështu me radhë. Në këto çaste, shikimi nuk është neutral, ai bëhet një thjerrë kornizuese dhe formë kontrolli që e mpak njeriun në diçka më pak se e tëra.

Por, vështrimi mund të përdoret edhe për t’i dhënë jetë përkatësisë, njohjes, mbështetjes dhe solidaritetit, po aq sa mund të përforcojë përjashtimin dhe hierarkinë. Vështrimi për të cilin po flas nuk lidhet me shikimin, por me praninë, me njohjen, dhe me mënyrën e qetë, por të thellë, me të cilën formësojmë realitetet e njëri-tjetrit.

Mënyra si zgjedhim t’i vështrojmë të tjerët ka po aq fuqi sa mënyra si ata na vështrojnë. Në disa mjedise pune, vështrimi bëhet arma për të poshtëruar, për të përjashtuar, për t’i kthyer kolegët në objekte vëzhgimi e jo në subjekte respekti, në individë me botët dhe jetët e tyre. Në mjedise të tjera, vështrimi është dhuratë, një akt që dëgjon në vend se të gjykojë, bëhet energji që konfirmon në vend se të fshijë.

Të shohësh me respekt mund të humanizojë. Të shohësh me kureshtje mund të zgjerojë aftësinë e të kuptuarit. Të shohësh me pranim mund ta rikthejë dikë që është mpakur nga tallja ose shpërfillja.

Romani i Shafakut është për fuqinë e vështrimit. Ai na rikujton se secili prej nesh ka sy që mund të plagosin ose të dhurojnë dinjitet. Të shohësh është zgjedhje. Të shikosh me respekt mund ta ndryshojë energjinë e një dhome. Të shohësh me interes mund t’ia hapë derën bisedës. Të shohësh me pranim mund t’ia rikthejë dinjitetin dikujt që është lënë mënjanë.

Në vendin e punës, ashtu si në jetë, mënyra si i shohim të tjerët mund të jetë forma më e nënvlerësuar e komunikimit. A po i kushtojmë vështrimit tonë, çfarë komunikon ai?

A mund të zgjedhim të shohim edhe një herë?

Video

Rama është modest. Ai është “bujari” i vërtetë. Se i ka dhënë tokën e pronarëve Arbër Hajdarit për 1 euro

Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u prit me entuziazëm nga qytetarët kinezë. Një moment që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të publikut ishte kur Macron vrapoi për t’i përshëndetur ata personalisht, duke treguar afërsinë dhe respektin ndaj njerëzve që e pritën. Ky episod simbolik thekson lidhjet gjithnjë e më të forta mes Francës dhe Kinës, si dhe përpjekjet e të dyja vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

Ceremonia e shortit të Kampionatit Botëror përfundoi me një moment të pazakontë, ku presidenti amerikan Donald Trump u pa duke vallëzuar këngën ikonike YMCA, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe të pjesëmarrësve.

Një aligator gjigant, i gjatë rreth 4.3 metra (14-foot) dhe me peshë rreth 272 kg (600 paund), shkaktoi bllokim të trafikut në Florida, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve. Një kapës i specializuar për kafshë të egra, së bashku me tetë zyrtarë policorë, ndërhynë për të larguar aligatorin nga rruga dhe për të siguruar kalimin e automjeteve në mënyrë të sigurt.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme