Ndërtekst 18 August 2025, 09:20 Nga Linda Baleta

Engjëlli në vendin e punës

Ndaje në Whatsapp
Engjëlli në vendin e punës
Kopertina e librit

Nga Linda Baleta
Eksperte e komunikimit

Këtë fundjavë, u mblodha në një kënd të shtëpisë për të lexuar “Çfarë po kërkon, e gjen në bibliotekë” nga Michiko Aoyama.

Po ju them, është nga ata libra që shkon shtruar teksa e lexon, por më pas të shkund deri në zemër dhe t’i pushton mendimet gjatë, edhe pasi e ke mbyllur.

“Lexuesit krijojnë lidhjet e tyre personale me fjalët, pavarësisht nga qëllimet e shkrimtarit dhe secili lexues fiton diçka unike”.
― Michiko Aoyama, “Çfarë po kërkon, e gjen në bibliotekë”

Në shikim të parë, libri flet për një varg takimesh të rastësishme me një bibliotekare. Në të vërtetë, ai bën fjalë për artin e çeljes së brendisë së njerëzve. Rrëfimet bëjnë fjalë për njerëz që i drejtohen bibliotekares me pyetje. Dhe aty fshihet magjia. Bibliotekarja nuk ua jep thjesht librin që kërkojnë dhe t’i përcjellë. Ajo dëgjon përtej fjalëve dhe gjuhës së trupit. Pastaj rekomandon një libër që as nuk e dinin se u duhej. Jo ndonjë rekomandim të bujshëm me fishekzjarre, por si një prekje e lehtë në sup që thotë: “Këtej.”

Pastaj, javë apo muaj më vonë, ajo prekje kthehet në një riorientim. Një vendim ndryshon. Hapet një derë. Një lëvizje e vogël i rreshton ata njerëz krah të vërtetës së tyre, krah qëllimit, pasionit, forcës shtytëse që ndoshta e kishin harruar teksa jeta shkonte me rrjedhën e vet. Një jetë, që qoftë edhe për pak, nisen nga thirrja e saj.

Ky libër më kujtoi disa njerëz që kam pasur fatin t’i takoj në punë. A keni parasysh tipin? Ai ose ajo që të sheh siç je, por edhe si mund të bëhesh, që lexon talentet e tua më mirë se vetë ti, që të përfshin në rrjetet e veta pa llogaritje dhe të prezanton me ide e njerëz që nuk e dije se të duheshin, ndërkohë që lidh pika që nuk e kishe parë se ekzistonin. Dërgon një email prezantues që papritur të ndryshon gjithë karrierën dhe pa bujë të madhe, të shtyn përsëri drejt një rruge nga e cila nuk e kishe kuptuar se ishe shmangur. Edhe pse në atë moment, ajo shtytje mund të djegë pak.

Këta engjëj të vendit të punës e dinë se karriera nuk është një shkallë e drejtë, por më shumë një shëtitje e gjatë në pyll me kthesa të gabuara dhe ndalesa për të shijuar peizashin. Prandaj të japin me qetësi busullën kur ti hiqesh sikur nuk ke humbur.

Disa i quajnë mentorë, sponsorë, apo udhërrëfyes. Unë i quaj engjëj të vendit të punës. Dhe ja një fakt i bukur: jo gjithmonë e kupton që e ke takuar një të tillë deri kur hedh sytë pas. Vetëm atëherë sheh gjurmët e tyre tek çastet e jetës tënde që vërtet kanë rëndësi.

Libri më bëri të mendoj si të jem dhe unë një engjëll në vendin e punës për dikë tjetër. Nuk kemi nevojë për një titull pompoz apo ndonjë vulë lidershipi për t’u bërë engjëj në vendin e punës. Na duhet vetëm të kemi vëmendje. Të shohim shkëndijën te dikush para se ta shohë vetë. Të besojmë për ta kur rezervat e besimit të tyre në vete janë në pikën më të ulët. Të japim atë shtytje në kohën e duhur për t’i ndihmuar të rreshtohen sërish krah veten.

Lexo gjithashtu

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme