Ndërtekst 4 Nëntor 2025, 09:09 Nga VNA

“Çmenduria e turmave” në epokën moderne: Linda Baleta mbi diskriminimin e ri

Ndaje në Whatsapp
“Çmenduria e turmave” në epokën moderne: Linda

Ekspertja e komunikimit Linda Baleta sjell këtë herë për lexuesit e VNA një analizë refleksive të frymëzuar nga libri “Çmenduria e turmave” i Douglas Murray, lidhur me fenomenin e “Gen Hex” dhe diskriminimin moshor në vendin e punës

Gen Hex apo Gjenerata Magjepsëse: kahja e kundërt e diskriminimit moshor në vendin e punës

““Si në jetën publike ashtu edhe në atë private, në Internet dhe jashtë tij, njerëzit po sillen gjithnjë e më shumë në mënyrë iracionale, të ethshme, me mendësinë e tufës dhe thjesht, janë të pakëndshëm. Edhe pse simptomat i shohim kudo, nuk shohim shkaqet”.
— Çmenduria e turmave. Gjinia, raca dhe identiteti, Dagllas Mërri (Douglas Murray)

A ka marrë fund me të vërtetë gjuetia e shtrigave? Apo thjesht është përshtatur me kohën, duke ndërruar fjalorin dhe garderobën? Nga gratë e djegura në turrën e druve deri te vrasja e reputacionit të grave në vendin e punës, instinktet mbeten po ato. E njëjta mënyrë si dikur: gjej një grua, prania e së cilës të turbullon, qetësia apo vetëbesimi i paluhatur i së cilës perceptohet si kërcënim; grumbullo aleatët dhe ndiz shkrepësen e fjalëve kinse të pafajshme.

Turmat mesjetare kishin nevojë për spektakël të pasuar nga ndjenja e epërsisë morale. Turma moderne e vendit të punës kërkon narrative të përbashkët kundër konkurrencës së perceptuar, të pasuar nga uniformiteti. Akuzat nuk bëjnë më fjalë për magji, por për mungesë të rëndësisë. Turrat e druve janë shndërruar në izolim. Dhe ja po shfaq një mendim kundërthënës, që më lindi pasi lexova librin Çmenduria e turmave. Gjinica, raca dhe identiteti nga Dagllas Mërri.

A kemi guximin të flasim për herezinë e kohës sonë, për atë mendësi helmatisëse dhe përçarëse, atë të “diskriminimit moshor në kahje të kundërt”, sidomos ndaj grave? Po flas për diskriminimin e pashprehur të më të rinjve ndaj më të moshuarve. Ky lloj diskriminimi fsheh dorën pas ironisë, aftësisë së supozuar digjitale dhe fjalorit të posaçëm të progresit. Ai lulëzon në zyra të hapura dhe në biseda zyrash, ku monedha nuk është kompetenca, por viti i lindjes; jo reflektimi, por frazat e modës.

Mendojmë se kemi kapërcyer paragjykimet, por në fakt vetëm u kemi dhënë markë të re.

Kur Mërri shkruan për natyrën e turmës që karakterizon epokën tonë, më kujtohet sa shpejt lëviz emocioni krahasuar me arsyen, se si sajesat lëvizin më shpejt krahasuar me faktet dhe si njerëzit grupohen më shumë rreth ndjenjave apo agjendave të përbashkëta sesa rreth dëshmive të përbashkëta. Një pëshpëritje e hedhur në korridor në kohën e duhur në mëngjes bëhet “e vërteta” deri në drekë. Qesëndia e një më të reje ndaj një kolegeje më të moshuar që guxon të ngrejë vetullën përpara vrazhdësisë së qëllimshme shndërrohet në “provë”. Turma formohet jo përmes logjikës, por përmes infektimit emocional, duke u bërë kështu pjesë e rendit të ri moral, edhe nëse për këtë duhet të digjet besueshmëria e dikujt tjetër për ta mbajtur ngrohtë gjuetaren e pasigurt.

Epo, çfarë e bën dikë të denjë për t’u bërë pjesë e turmës “së adhuruar”? Është hardware apo software? Është data e lindjes apo rrjedha kohore gjatë së cilës ke mësuar të mendosh? Pse dikush ndjehet se ka të drejtë të vendosë që mosha e tjetrit përcakton vlerën e tij apo të saj për shoqërinë? Ta shpallësh një kolege grua jashtë mode vetëm sepse koha e saj mbi planetin Tokë i paraprin tëndes? Marrëzia nuk qëndron në dallimet, por në arrogancën e atyre që vendosin se cila version i njerëzimit ka të drejtën të përcaktojë “rëndësinë”.

Në vendin e punës, ky infeksion sjell pasoja. Mentaliteti i turmës rishkruan komunikimin dhe në fund, edhe performancën. Kultura zhvendoset për të favorizuar paraqitjen mbi kontributin. Dialogu i sinqertë rudhet. Kur përkatësia në “grupin cool” vlerësohet më shumë se mendimi kritik dhe besueshmëria, organizatat ndalojnë së nxëni. Risia nuk është inovacion. Hiret nuk janë kompetencë. Turma fiton momentin, por organizata humbet hapin.

Diskriminimi moshor në kahje të kundërt nuk është thjesht mungesë mirësjelljeje. Është qasje vetëshkatërruese, sepse ushqehet nga pasiguria ndërsa shitet si “vibe”. Ai e bën komunikimin copa-copa, e zëvendëson bashkëpunimin me ecjen mbi gjemba dhe i lë të gjithë më të pavlefshëm se më parë. Këtu më kumbojnë në veshë fjalët e Mërri për sjelljen si tufë: frika për t’u dalluar ende peshon më shumë se guximi për të menduar me kokë më vete.

Gjuetia e shtrigave mori fund kur njerëzit filluan ta shohin marrëzinë e saj. Ndoshta i njëjti zgjim nevojitet për zyrat tona: të kuptojmë se urtësia nuk e kërcënon progresin, se fryma e Gjeneratës X nuk përplaset me “vibe”-n e Gjeneratës Z. Shenja dalluese e vërtetë e një kulture pune të evoluar nuk është sa me zë e lavdëron rininë, por sa me hijeshi krijon hapësirë për të gjithë, pa lënë askënd pas apo mënjanë.

Video

Doli fiks siç e parashikoi doktori

Dy tentativa grabitjeje janë shënuar mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës, brenda një intervali prej rreth 15 minutash, ku autori i dyshuar ka dështuar të marrë para në të dyja rastet. Rreth orës 19:00, në lagjen “Vasil Shanto”, një shtetas ende i paidentifikuar është futur në ambientet e filialit të Postës Shqiptare, ku ka tentuar të marrë me forcë një shumë parash. Autori nuk ka arritur qëllimin dhe gjatë largimit ka thyer xhamin e sportelit. Rreth 15 minuta më vonë, në sheshin “Prek Cali”, dyshohet se i njëjti shtetas ka tentuar një tjetër grabitje në një subjekt tregtar (market). Ai është konfliktuar me punonjësin e marketit dhe është larguar pa mundur të marrë shumën e parave. Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në të dyja vendngjarjet dhe vijojnë kontrollet në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Kur nuk të pëlqen ajo që dëgjon

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërndarë në rrjetet sociale një video që përfshin një klip racist ku Barack dhe Michelle Obama paraqiten si majmunë. Klipi – i vendosur mbi këngën “The Lion Sleeps Tonight” – shfaqet në fund të një videoje 62-sekondëshe që përmban pretendime për manipulime zgjedhore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Pretendimet janë hedhur poshtë më parë në procese gjyqësore kundër kompanive mediatike nga Dominion Voting Systems. Senatori republikan Tim Scott, i cili është afro-amerikan dhe aleat i Trumpit, i kërkoi publikisht presidentit ta fshinte postimin, duke e quajtur “gjënë më raciste që kam parë ndonjëherë nga kjo Shtëpi e Bardhë”. Ai tha se fillimisht ishte lutur që videoja të ishte e rreme. https://www.vna.al/bota/trump-shperndan-video-me-permbajtje-raciste-ndaj-ciftit-obama-ne-shba-shper-i19750

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme