Ndërtekst 10 Nëntor 2025, 09:30 Nga VNA

Të rrjedhshëm në fjalë, të ngurtë në dëgjim

Ndaje në Whatsapp
Të rrjedhshëm në fjalë, të ngurtë në

“Kur ndërvepron me dikë nga një kulturë tjetër, përpiqu të vështrosh më shumë, të dëgjosh më shumë dhe të flasësh më pak”.
— Harta e kulturave, Erin Mejer

Një shprehje e vjetër shqiptare thotë: “Ke dy veshë dhe një gojë, ndaj dëgjo dy herë dhe fol një herë”. Mund të duket si këshillë për të qenë modest e i përmbajtur, virtyte të çmuara në shoqëritë tradicionale. Por, e deshifruar pas viteve të përvojës së jetuar, kjo thënie është perlë e urtësisë, sepse thekson fuqinë e dëgjimit aktiv, apo përbërësin kyç të komunikimit efektiv.

Në shumë vende pune sot, sidomos në ato shumëkulturore, akti i dëgjimit po humbet terren. Të gjithë flasin anglishte të përkryer dhe përdorin terminologjinë e industrisë, prezantimet rrëshqasin në ekrane, takimet zhvillohen me vetëbesim të ushtruar mirë, por kjo rrjedhshmëri shpesh maskon mungesën e dëgjimit. Nën sipërfaqen e mirësjelljes dhe kompetencës, humbet diçka më e heshtur, por thelbësore: arti për të dëgjuar zërin që s’është i yti, mungesa e kureshtjes për atë që tjetri sjell me vete. Duket sikur të gjithë besojmë se mënyra jonë e të parit të botës është e drejta, më e mira, ajo që të tjerët duhet ta kopjojnë.

Erin Mejer (Erin Meyer), në librin e saj Harta e kulturave (The Culture Map), shkruan: “Mënyra se si jemi kushtëzuar ta shohim botën në kulturën tonë duket aq e natyrshme dhe e vetëkuptueshme, sa na vjen vështirë të imagjinojmë se një kulturë tjetër mund t’i bëjë gjërat ndryshe”. Kjo fjali mund të varej në murin e çdo zyre ku ekipi është i larmishëm. Sepse ajo që dikush e quan qartësi, diku tjetër tingëllon si ftohtësi. Ajo që quhet “komente të drejtpërdrejta” mund të perceptohen si poshtërim publik. Ndërsa heshtja, apo nënshtrimi ndaj autoritetit, mund të jetë shenjë respekti të vërtetë, apo një mënyrë e butë për të shmangur përplasjet e kota.

Komunikimi në ekipet ndërkombëtare nuk është tokë neutrale. Është peizazh që favorizon atë që bart pushtetin gjuhësor, zakonisht personin që ndihet më rehat me anglishten, ose shfaqet më i bindur se mënyra e tij e punës është modeli i shenjtë për të tjerët. Kështu, edhe kur të gjithë janë “të rrjedhshëm”, ekuilibri i të kuptuarit mbetet i pabarabartë. Disa fjali tregojnë qëndrim; të tjerat zvarriten mes vijave të kulturave, paragjykimeve dhe egos.

Sipas Mejerit, komunikimi shtrihet mbi hartën që lëviz nga konteksti i ulët në atë të lartë, nga ai drejtpërdrejt në atë të tërthortë, nga barazia në hierarki. Por, ajo që më intrigon më shumë është çka këto shkallë nuk masin dot: modestinë emocionale për t’u ndalur përpara se të përfundojmë mendimin e tjetrit, apo përpara se të nxjerrim përfundime pa e kuptuar plotësisht tjetrin.

A është vallë kaq e vështirë të gjesh guximin të thuash: “Ndoshta nuk e kuptova mirë? Mund të ma shpjegosh edhe njëherë?” Apo është kaq e vështirë të dëgjosh dikë që flet me ritëm tjetër, me mënyrë tjetër artikulimi nga e jotja?

Kur mungesa e dëgjimit ndodh pa qëllim, është një ves që me pak vetëdije mund të ndryshojë. Por kur tjetri qëllimisht ndërpritet, kur fjalitë e tij mbyllen në një mënyrë krejt tjetër nga ajo që ai synonte, ajo sjellje është akt agresioni. Keqkuptimet ndërkulturore rrallëherë shpërthejnë, ato gërryejnë ngadalë. Çdo mikroagresion i tillë thellon hendekun mes qëllimit dhe ndikimit, ndërsa bashkëpunimi shndërrohet në koreografi të rreme pa ritëm, ku secili luan i stonuar.

Nëse vendin e punës sot e shohim si orkestër, zgjidhja për të arritur harmoninë nuk qëndron në zëra më të lartë apo në kritika poshtëruese, por në dëgjim më të mirë.

Në mjediset shumëkulturore, dëgjimi është akt etik. Ai kërkon nga secili prej nesh të largojë veten nga qendra e përcaktimeve për inteligjencën, vetëbesimin, artikulimin dhe profesionalizmin. Na rikujton se komunikimi nuk është performancë individuale, por kompozim kolektiv.

Këshilla e gjysheve shqiptare, dhe edhe ajo e Mejerit, për të “dëgjuar dy herë e për të folur një herë” është në dukje e thjeshtë. Por, në thelb, është ftesë për prani pa dominim, kureshtje pa pushtim. Na fton ta trajtojmë çdo bisedë si përkthim, jo si transaksion. Të dëgjosh përtej kulturave do të thotë të pranosh se asnjë fjali nuk ka të njëjtin kuptim dy herë.

Dhe ndoshta masa e vërtetë e rrjedhshmërisë nuk është sa përsosmërisht flasim, por sa me dëshirë dimë të çmësojmë e të rimësojmë. Sepse bota jashtë vendit tonë të lindjes është po aq e bukur dhe e pasur.

Video

Në mes të kushteve të vështira të jetesës, familjet në Gaza kanë gjetur mënyra kreative për të shënuar muajin e shenjtë të Ramazanit, duke përdorur kanaçe pijesh për të dekoruar tendat e tyre. Banorët, të zhvendosur dhe që jetojnë në strehime të përkohshme, kanë ripërdorur materiale të riciklueshme për të krijuar zbukurime simbolike dhe ndriçime artizanale, me qëllim ruajtjen e atmosferës festive dhe shpirtit të solidaritetit gjatë kësaj periudhe të rëndësishme fetare.

Një person i armatosur me thikë ka tentuar të sulmojë një polic pranë Arc de Triomphe në Paris. Sipas kryetares së bashkisë së Parisit, policia ka reaguar menjëherë duke qëlluar me armë zjarri ndaj personit për të neutralizuar rrezikun. Ende nuk ka informacion të detajuar për gjendjen e të dyshuarit apo nëse ka persona të tjerë të lënduar. Zona është rrethuar nga forcat e sigurisë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Një tenor i ri rus ka kënduar arien e famshme “Nessun dorma” nga opera Turandot e Giacomo Puccini në sheshin përpara Duomo di Firenze, por performanca e tij përfundoi me gjobë. Nuk është hera e parë që këngëtari kapet duke performuar pa leje në sheshe historike ku ndalohen shfaqjet spontane. Këtë herë, ndërsa ai mori duartrokitje nga kalimtarët, patrulla e policisë bashkiake – që e gjobiti dhe i sekuestroi pajisjet e amplifikimit – u përball me fishkëllima nga publiku i improvizuar. Jo vetëm kaq: kur autoritetet i morën rreth 100 eurot që kishte fituar nga performanca, kalimtarët reaguan menjëherë duke ia kthyer shumën aty për aty. E gjithë skena u filmua rastësisht nga influenceri Diego Fusina, i cili ndodhej aty dhe e publikoi videon në rrjetet sociale. Siç pritej, pamjet u bënë virale brenda pak orësh.

Një përleshje e dhunshme shpërtheu gjatë një fluturimi të "Jet2" nga Turqia drejt Mançesterit, duke detyruar pilotin të kryejë një ulje emergjente në Bruksel. Konflikti nisi pas një mosmarrëveshjeje për një telefon mes pasagjerëve britanikë dhe u përshkallëzua shpejt në përleshje fizike në korridor të avionit. Dëshmitarët raportuan kaos në bord, përfshirë dhe gjak në sedilje e dhëmbë në dysheme. Sipas pasagjerëve, një nga personat e arrestuar kishte konsumuar shumë alkool dhe dyshohet se kishte bërë komente raciste para përplasjes. Pas uljes emergjente, policia arrestoi dy persona në bord, ndërsa fluturimi vijoi më pas drejt destinacionit të tij final. Piloti vlerësoi se incidenti ishte ndër më të dhunshmit që kishte përjetuar në 30 vite karrierë. Kompania ajrore e përshkroi sjelljen si “të papranueshme” dhe njoftoi se të përfshirët do të ndaloheshin përjetë nga fluturimet e saj.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme