
Deputetja demokratike, Jorida Tabaku, ka veshur sërish mantelin e ekspertes së dhimbshme të ekonomisë, duke zbuluar përmes një statusi në rrjetet sociale se Shqipëria po zbrazet, se pensionistët po punojnë për bukën e gojës dhe se faji për këtë krizë nuk është natyror, por i një "sistemi të pakicës".
Me një ton akademik, Tabaku e rreshton veten krah revoltës së qytetarëve, duke e cilësuar protestën e tyre si një reagim legjitim ndaj arrogancës qeveritare dhe një modeli që varfëron shumicën për të pasuruar njerëzit pranë pushtetit.
Ajo që Tabaku nuk arrin dot të dëgjojë nga zyra e saj, ose thjesht bën sikur ia merr era, është thirrja kryesore e po atyre protestuesve që ajo merr në mbrojtje. Ndërsa deputetja përpiqet ta paketojë revoltën si një goditje ndaj qeverisë, njerëzit në shesh po bëjnë thirrje për në burg pa asnjë dallim ngjyrash, si për kryeministrin aktual, ashtu edhe për kryetarin e partisë së vetë Tabakut.
Kjo “harresë” dëshmon sërish për sëmundjen e vjetër të opozitës, e cila vijon ta shohë "sistemin" si një pemë që rritet vetëm në oborrin e komshiut, duke refuzuar të pranojë që për qytetarët e thjeshtë, si ata në qeveri, ashtu edhe ata në shtëpinë e saj politike, janë thjesht dy anë të së njëjtës monedhë.






















