Deputeti socialist Eduart Shalsi ka komentuar incidentin e Zvërnecit, ku një qytetar u tërhoq zvarrë nga efektivë të sigurisë private, ngjarje që u bë shkëndija e protestave që po zhvillohen prej 12 ditësh në Tiranë.
Sipas Shalsit, raste të tilla nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, duke sjellë si shembull rastet e dhunës policore në SHBA që kanë shkaktuar protesta masive. Ai tha se rëndësi ka reagimi i shtetit pas ngjarjes, duke përmendur shkarkimin e drejtuesve të policisë, revokimin e licencave dhe arrestimet e kryera pas incidentit.
“Po e pikturojmë sikur këto gjëra ndodhin vetëm në Shqipëri dhe jo në vende të tjera. Një shtet kuptohet nga mënyra se si reagon”, u shpreh Shalsi, ndërsa pranoi se protesta që nisi për Zvërnecin tashmë është zgjeruar dhe është kanalizuar drejt një sërë çështjesh të tjera.






















