Banorët e zonës së Baks-Rrjollit, në Velipojë, kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik në një truall për të cilin pretendojnë se u përket atyre. Reagimi i tyre vjen vetëm pak ditë pasi zona është rrethuar me tela me gjemba nga kompania që po zbaton projektin.
Prej afro një viti, banorët kundërshtojnë ndërtimin e resortit, duke pretenduar se pronat e tyre janë tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tyre, një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka manipuluar certifikatat e pronësisë, duke përvetësuar truallin dhe më pas duke ia shitur investitorit që synon të zhvillojë projektin turistik pranë vijës bregdetare të Velipojës.
Tensionet në zonë janë përshkallëzuar që nga muaji janar i këtij viti, kur kompania ndërtuese nisi punimet paraprake dhe sistemimin e terrenit me mjete të rënda. Banorët e Baks-Rrjollit kanë organizuar protesta të vazhdueshme, të cilat në disa raste janë shoqëruar me përplasje fizike mes tyre, punonjësve të kompanisë dhe rojeve private të angazhuara nga investitori.
Përplasjet kanë sjellë edhe ndërhyrjen e autoriteteve, me disa banorë që janë shoqëruar dhe proceduar penalisht. Megjithatë, ndërhyrjet në terren kanë vijuar, ndonëse çështja është duke u hetuar nga Prokuroria e Shkodrës.
Banorët e Baks-Rrjollit e konsiderojnë situatën si një rast të grabitjes së pronës private dhe kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në zbardhjen e plotë të çështjes. Prej dy javësh, ata i janë bashkuar edhe protestave të zhvilluara në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të tyre pronësore.






















