Lionel Messi pritet të rikthehet në “Spotify Camp Nou”, por këtë herë jo për të luajtur një ndeshje me fanellën e Barcelonës. Presidenti i klubit katalanas, Joan Laporta, ka konfirmuar se Barça do të organizojë një ceremoni të veçantë për të nderuar legjendën argjentinase, pasi të përfundojnë punimet në stadium.
Laporta e bëri të ditur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Barcelonës, pas një pyetjeje të një prej anëtarëve të klubit mbi momentin kur do të zhvillohet ceremonia për Messin. Presidenti blaugrana tha se klubi ia kishte shprehur më herët dëshirën për ta nderuar në një “Camp Nou” të përfunduar.
“Messit i thamë se do të donim t’i bënim një nderim me stadiumin e përfunduar. Kishte mundësi që të luante edhe një sezon me ne, por nuk u bë, sepse ai mori një vendim tjetër. Do të ishim të lumtur t’i bënim një nderim”, deklaroi Laporta.
Më tej, kreu i Barcelonës konfirmoi se ceremonia do të zhvillohet pasi stadiumi të jetë përfunduar dhe la të hapur mundësinë që ajo të jetë një event madhështor, me praninë e një numri shumë të madh tifozësh.
“Nderimin do t’ia bëjmë kur stadiumi të jetë përfunduar, gjithmonë nëse ai dëshiron. Shpresoj ta shohim së shpejti. Mund të bëjmë një nderim me afro 105 mijë spektatorë”, u shpreh Laporta.
Sipas planifikimit të përmendur nga presidenti i klubit, punimet e “Spotify Camp Nou” pritet të përfundojnë në verën e vitit 2028. Ndërkohë, Barcelona ka hyrë tashmë në fazën finale të projektit të rikonstruksionit të stadiumit.
Deklarata e Laportës rikthen në vëmendje edhe mundësinë e rikthimit të Messit në Barcelonë. Presidenti i klubit pranoi se ekzistoi një mundësi që argjentinasi të luante edhe një sezon në “Camp Nou”, por sipas tij, kjo nuk u realizua pasi Messi mori një tjetër vendim.
Argjentinasi u largua nga Barcelona në verën e vitit 2021, pas përfundimit të kontratës, në një moment kur klubi nuk mundi të finalizonte rinovimin për shkak të situatës financiare dhe rregullave të La Ligës. Pesë vite më vonë, Barça synon t’i japë atij mundësinë për t’u rikthyer në shtëpinë ku shkroi pjesën më të madhe të historisë së tij, këtë herë për një ceremoni nderimi përpara tifozëve katalanas.
Nderimi merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se Messi u largua në vitin 2021 pa pasur mundësinë të përshëndetej në fushë me tifozët e Barcelonës. Tashmë, klubi po planifikon që kjo lamtumirë e munguar të realizohet në një “Camp Nou” tërësisht të përfunduar.






















