
Roma dhe Inter kanë dhuruar spektakël në “Stadio Olimpico”, duke e mbyllur në barazim 2-2 përballjen e javës së pestë të Serie A. Dy skuadrat, që e nisën ndeshjen me pikë të plota dhe në krye të kampionatit, vijojnë të qëndrojnë të barabarta në renditje.
Verdhekuqtë e nisën në mënyrën më të mirë sfidën, duke kaluar në avantazh që në minutën e 6-të me Manu Koné. Mesfushori francez ishte protagonist absolut edhe në minutën e 37-të, kur realizoi golin e dytë personal dhe i dërgoi vendasit në dhomat e zhveshjes me epërsinë 2-0.
Interi reagoi menjëherë pas pushimit. Lautaro Martinez ngushtoi diferencën në minutën e 46-të, duke rikthyer zikaltërit në lojë dhe duke ndryshuar ritmin e takimit.
Presioni i skuadrës së Cristian Chivut u shpërblye në minutën e 79-të, kur Lautaro gjeti sërish rrjetën për të kompletuar dopietën personale dhe rikthimin e Interit nga disavantazhi 2-0.
Pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, rezultati nuk ndryshoi dhe supersfida përfundoi 2-2. Roma dhe Inter marrin nga një pikë dhe mbeten krah për krah në krye të Serie A pas pesë javëve të para.






















