Sport 18 September 2026, 20:44 Nga VNA

Çfarë po ndodh me Granit Xhakën? Prokuroria zvicerane hap hetim ndaj tij

Ndaje në Whatsapp
Çfarë po ndodh me Granit Xhakën? Prokuroria zvicerane hap hetim

Granit Xhaka është përfshirë në një hetim penal në Zvicër, pasi Prokuroria e Luzernit po verifikon nëse certifikatat e vaksinimit kundër COVID-19 të futbollistit janë lëshuar në mënyrë të rregullt.

Sipas mediumit zviceran “Blick”, autoritetet po hetojnë nëse Xhaka ka siguruar një certifikatë vaksinimi pa iu nënshtruar vaksinimit përkatës. Zëdhënësi i Prokurorisë së Luzernit, Simon Kopp, konfirmoi se është hapur procedurë ndaj Xhakës dhe mjekes që dyshohet se ka lëshuar dokumentet. Hetimi synon të përcaktojë nëse ka pasur veprime që mund të përbëjnë vepër penale, përfshirë marrjen e një vërtetimi të rremë ose falsifikimin e dokumenteve.

Çështja lidhet me një mjeke në Luzern, ordinanca e së cilës u kontrollua nga policia në vitin 2023. Gjatë bastisjes, autoritetet sekuestruan prova që tashmë po shqyrtohen në kuadër të hetimit ndaj disa personave që dyshohet se kanë përfituar certifikata të parregullta të COVID-19.

Xhaka i mohon akuzat. Përfaqësuesi i tij, Andreas Bantel, ka deklaruar se futbollisti posedon dokumentacion nga mjekja që dëshmon se është vaksinuar dy herë, më 25 janar dhe më 11 nëntor 2022. Edhe avokati i mjekes ka deklaruar se klientja e tij e ka vaksinuar Xhakën dhe se procedura është kryer në mënyrë të rregullt.

Pikërisht nëse këto vaksinime janë kryer realisht dhe nëse dokumentet janë lëshuar në përputhje me rregullat, është një nga çështjet që po verifikon aktualisht Prokuroria e Luzernit.

Xhaka pritet të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane në fillim të tetorit. Sipas “Blick”, futbollisti ka deklaruar përmes përfaqësuesit të tij se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet.

Rasti rikthehet në vëmendje disa vite pasi Xhaka rezultoi pozitiv me COVID-19 në shtator 2021. Në atë periudhë ai ishte i pavaksinuar dhe më vonë deklaroi se ishte vaksinuar. Tani autoritetet po verifikojnë dokumentacionin që lidhet me vaksinimet e pretenduara të vitit 2022.

Video

Lajmi në koment?

Nga 61 në 46 bashki, socialistët ndryshojnë hartën më 8 tetor pa konsensusin e opozitës

Bota në një minutë

Dosja Balluku/ Igli Tare paraqitet në SPAK. Ish-futbollisti i Kombëtares në hetim për pastrim parash.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme