Sport 16 September 2026, 18:43 Nga VNA

Brighton vendos rekord në Premier League, 15 kombësi të ndryshme në një ndeshje

Ndaje në Whatsapp
Brighton vendos rekord në Premier League, 15 kombësi të ndryshme

Brighton & Hove Albion ka shkruar një tjetër faqe në historinë e Premier League, duke vendosur një rekord të veçantë në futbollin anglez. Në fitoren e thellë 5-0 ndaj Coventry Cityt të drejtuar nga Frank Lampard, “Seagulls” u bënë skuadra e parë në historinë e elitës angleze që aktivizoi futbollistë nga 15 kombësi të ndryshme në një ndeshje të vetme. Rekordi lidhet me lojtarët e fushës, ndërsa është konfirmuar edhe nga të dhënat e publikuara pas ndeshjes.

Trajneri Fabian Hurzeler e nisi takimin me një formacion që përfaqësonte 11 kombësi të ndryshme, duke përfshirë edhe portierin. Në portë ishte holandezi Bart Verbruggen, ndërsa në mbrojtje luajtën turku Ferdi Kadioglu, kroati Luka Vuskovic, anglezi Lewis Dunk dhe francezi Olivier Boscagli.

Në mesfushë startuan gjermani Pascal Grob dhe suedezi Yasin Ayari, ndërsa repartin ofensiv e përbënin paraguajani Diego Gomez, lojtari nga Bregu i Fildishtë Malick Yalcouye, belgu Maxim De Cuyper dhe greku Charalampos Kostoulas.

Diversiteti i skuadrës u zgjerua edhe më tej gjatë pjesës së dytë. Hurzeler aktivizoi spanjollin Chema Andres, ganezin Ibrahim Osman, portugezin Costinha dhe danezin Matt O'Riley. Në këtë mënyrë, Brighton arriti në 15 kombësi të ndryshme mes futbollistëve të fushës të aktivizuar gjatë takimit.

Një tjetër hollësi interesante është se Pascal Struijk, i cili hyri në fushë në vend të Luka Vuskovic, është gjithashtu holandez, njësoj si portieri Verbruggen. Megjithatë, në llogaritjen e rekordit për lojtarët e fushës, kjo nuk shton një kombësi të re.

Rekordi erdhi në një ndeshje që Brighton e dominoi edhe në rezultat. Charalampos Kostoulas zhbllokoi sfidën në minutën e 35-të, ndërsa Malick Yalcouye dyfishoi avantazhin në fillim të pjesës së dytë. Pascal Grob shënoi nga pika e bardhë, Lewis Dunk realizoi një supergol nga distanca dhe Yasin Ayari vulosi fitoren 5-0 në minutat shtesë.

Për Brightonin, kjo larmi kombësish nuk është rastësi, por pjesë e filozofisë së klubit në zbulimin dhe rekrutimin e talenteve nga vende të ndryshme të botës. Pronari Tony Bloom ka shpjeguar më herët se klubi kërkon lojtarë në Amerikën e Jugut, Azi dhe tregje të ndryshme evropiane, duke u fokusuar te profili dhe potenciali i futbollistit, pavarësisht origjinës së tij.

Kjo filozofi është reflektuar edhe në dhomën e zhveshjes, e cila sot përfaqëson një përzierje të gjerë kulturash dhe gjuhësh. Vetë Hurzeler, i cili ka prejardhje dhe lidhje me Gjermaninë, Zvicrën dhe Shtetet e Bashkuara, është një tjetër shembull i këtij karakteri ndërkombëtar të klubit.

Fitorja ndaj Coventryt, përveç pesë golave dhe tri pikëve, i dha Brightonit edhe një rekord historik në Premier League. “Seagulls” u bënë skuadra e parë që aktivizoi 15 kombësi të ndryshme të lojtarëve të fushës në një ndeshje të vetme, duke e kthyer fitoren 5-0 në një moment të veçantë për historinë e klubit.

Video

Një histori e pazakontë vjen nga qyteti Homs në Siri, ku një burrë është rikthyer pas 15 vitesh te librat e fshehur pas një muri. Në tetor të vitit 2011, familja e tij izoloi bibliotekën me qindra vepra fetare e akademike për t'i mbrojtur nga regjimi i Bashar al-Assadit. Menjëherë pas ndërtimit të murit mbrojtës, familja u detyrua të largohej nga Siria për shkak të konfliktit. Pas kthimit në shtëpi, muri u shemb dhe koleksioni i librave bashkë me dokumentet personale dolën sërish në dritë në gjendje shumë të mirë. Pavarësisht viteve të gjata të braktisjes dhe shkatërrimeve të luftës, çdo gjë kishte mbetur e paprekur. Pamjet e momentit janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u kthyer në një simbol të ruajtjes së kujtesës.

Paqe e përkohshme në seancë plenare

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme