Ndërtekst 29 June 2026, 09:44 Nga VNA

Kur gjuha rrezikon të harrojë përvojën

Ndaje në Whatsapp
Kur gjuha rrezikon të harrojë përvojën

“Për shkak se modelet e mëdha gjuhësore (LLMs) marrin informacionin nga gjuha e natyrshme dhe prodhojnë gjuhë të natyrshme të rrjedhshme, rrjedhimisht përdoruesit supozojnë se këto makina zotërojnë edhe të kuptuarit njerëzor… Studiuesit e quajnë këtë ‘efekti brerore’: rrjedhshmëria gjuhësore e modelit krijon përshtypjen e kompetencës së përgjithshme që kapërcen dukshëm aftësitë reale të modelit”.
— Xhejmi Bartlet, “Si të flasësh me IA-në”

Ja një mendim: revolucioni i inteligjencës artificiale që po jetojmë sot nuk është teknologjik, por gjuhësor. Njerëzimi ka ndërtuar diçka që mund të prodhojë gjuhë pa përvojën.

Që kur qeniet njerëzore filluan të flasin me njëra-tjetrën, kemi supozuar se ekziston një lidhje e padukshme mes gjuhës dhe jetës. Kur dikush thotë: “Jam në zi”, ne besojmë se pas asaj fjalie fshihet dhimbje e vërtetë, e thellë. Kur dikush thotë: “E kuptoj”, ne besojmë se pas asaj fjalie qëndron të kuptuarit. Fjalët nuk kanë qenë kurrë vetëm simbole të thjeshta, pasi ato kanë mbartur peshën e kujtesës, emocioneve, qëllimit dhe përvojës së jetuar.

Modelet e mëdha gjuhësore po i kundërvihen kësaj lidhjeje të lashtë dhe po shpalosin se si gjuha mund të ekzistojë edhe pa përvojën. Ato prodhojnë gjuhë me rrjedhshmëri mahnitëse pa e përjetuar kurrë pikëllimin, sigurinë, zhgënjimin, zilinë, mrekullimin apo dashurinë. Ato nuk kuptojnë në mënyrën si kuptojmë ne. Ato bëjnë lidhje, parashikojnë, llogarisin dhe gjenerojnë. Xhejmi Bartlet (Jamie Bartlett), në librin e tij “Si të flasësh (dhe mos të flasësh) me IA-në” (How to Talk to AI (And How Not To)), shkruan se rrjedhshmëria gjuhësore krijon një iluzion të fuqishëm. Instinktivisht ngatërrojmë elokuencën me të kuptuarit, koherencën me inteligjencën dhe sigurinë në të folur me urtësinë.

Pastaj më lindi mendimi tjetër, jo për inteligjencën artificiale, por për ne, njerëzit.

Si duket, gjithnjë kemi qenë të ndikueshëm nga “efekti brerore”. Kohë përpara se të shfaqej inteligjenca artificiale, si njerëz kemi qenë gjithnjë të prirur të vinim shenjën e barazimit mes të folurit të artikuluar dhe të kuptuarit në thellësi të çështjes për të cilën bëhej fjalë. Kush fliste me shumë vetësiguri fitonte besimin e të tjerëve. Konsulentja me fjalorin më të rafinuar mbizotëronte. Supozonim se kompleksiteti ishte shenjë e ekspertizës dhe se vetësiguria ishte dëshmi e dijes.

Gjithmonë, gjuha ishte në gjendje të imitonte aktin e të kuptuarit. Pra, këtë dukuri nuk e shpiku inteligjenca artificiale; ajo vetëm sa na e bëri të pamundur ta injorojmë, pasi na vuri në dukje se sa lehtë e ngatërrojmë elokuencën me dijen dhe mprehtësinë intelektuale.

Vendi i punës është ndoshta hapësira ku kjo bëhet më e dukshme. Organizatat janë, para së gjithash, sisteme gjuhësore. Aty shkruhen strategji, hartohen vizione dhe flitet për inovacion, qëndrueshmëri, sinergji, transformim dhe ndikim. A nuk e di mirë kushdo që ka kaluar mjaftueshëm kohë në zyrë se si fjalët shpesh udhëtojnë shumë më shpejt sesa aftësia për t’i kuptuar?

Të marrim një shembull të thjeshtë. Ekipit i kërkohet të jetë më strategjik, por askush nuk e përcakton se çfarë do të thotë strategji. Punonjësit i kërkohet të tregojë përgjegjësi, ndërsa vetë përgjegjësia mbetet e paqartë. Raportet bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, ndërsa mendimi që qëndron pas tyre nuk bëhet aspak më i qartë. Problemet e komunikimit diagnostikohen shpesh si dështime të aftësisë së të shprehurit, kur në të vërtetë kanë nisur shumë më herët, si dështime të të menduarit.

Biseda me inteligjencën artificiale zbulon diçka që biseda me njerëzit mund ta fshehë. Makina nuk mund t’ia shpëtojë jetën idesë që ende nuk është bërë e qartë në mendjen tonë, sepse makina nuk ka qasje në qëllimet tona, por vetëm në udhëzimet që i japim. Nga ky këndvështrim, formulimi i kërkesave, ajo që sot quhet prompting, nuk është vetëm aftësi teknike, por edhe dëshmi e disiplinës intelektuale.

Ky dallim na shtyn drejt diçkaje shumë më të vjetër se inteligjenca artificiale, drejt dallimit mes kompetencës dhe urtësisë. Inteligjenca artificiale është jashtëzakonisht kompetente. Ajo mund ta gjejë informacionin brenda fare pak çastesh, të vërejë modelet brenda pafundësisë së të dhënave dhe të gjenerojë produkte me shpejtësi marramendëse. Mirëpo, kompetenca e këtij niveli nuk ka qenë kurrë virtyti më i dallueshëm njerëzor.

Urtësia fillon aty ku kompetenca arrin në skajin e vet.

Urtësia e di se përgjigjja, edhe pse e duhura, mund të na çojë në vendimin e gabuar. Urtësia e kupton se informacioni nuk është i njëjtë me gjykimin, se parashikimi nuk është i njëjtë me të kuptuarit, se pasojat e një vendimi nuk mund të maten gjithmonë mbi bazën e të dhënave dhe se reagimet thellësisht njerëzore nuk janë dështime.

Duke lexuar librin “Si të flasësh me IA-në”, e kapa veten duke menduar më pak për makinat dhe programimin dhe më shumë për lidershipin, për aftësinë tonë për të udhëhequr. Ka të ngjarë që aftësia përcaktuese e epokës së inteligjencës artificiale nuk do të jetë të mësojmë si të shkruajmë prompt-e më të mira, por si të vazhdojmë të mësojmë, të mendojmë më qartë, të komunikojmë më ndershmërisht dhe të ushtrojmë gjykim më të mirë brenda kësaj bote ku inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më kompetente dhe gjithnjë e më bindëse se tingëllon si qenie njerëzore.

Pra, detyra jonë si qenie të vërteta njerëzore është të sigurohemi që, në epokën e kompetencës pa kufi, të mos harrojmë si tingëllon urtësia.

Lexo gjithashtu

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme