Nga Linda Baleta
“Çdo gjë zhvillohet, edhe unë zhvillohem, ndërsa se përse unë zhvillohem bashkë me të tjerët, kjo do të kuptohet një ditë”.
Rrëfimi, L. N. Tolstoj
Zhvillimi personal dhe hapat e hedhur përpara na janë ngulitur heshturazi, si premtim, që të ndjekim hapa të caktuar: të studiojmë, të punojmë fort, të përmirësohemi, të avancojmë. Njëri hap çon te tjetri dhe, me kalimin e kohës, jeta fillon të marrë formë, e strukturuar dhe kuptimplotë. Në vendin e punës, ky premtim bëhet edhe më i dukshëm. Titujt ndryshojnë, përgjegjësitë rriten, kalendarët mbushen dhe koleksionojmë vlerësime. Nga jashtë, duket si rrjedhë normale e ngjarjeve. Nga brenda, shpesh ndihet si shtysë që na çon përpara, pa patur kohë të mjaftueshme të pyesim se ku po shkojmë në të vërtetë.
Në fillim, ambicia shihet e qartë dhe e pastër. Rritja është e matshme. Roli i radhës, arritja e radhës, versioni tjetër i vetes, qëllimi përfundimtar gjithmonë disi ikanak. Pastaj, pothuajse në mënyrë të padukshme, diçka ndryshon. Të njëjtët hapa që dikur shiheshin si përparim fillojnë të duken si përsëritje e vetvetes. Të njëjtat qëllime që dikur jepnin energji fillojnë të jenë çuditërisht neutrale. Çka dikur dukej si drejtim fillon të ngjajë me ujin që rrahim në havan. Shkalla është ende aty, por arsyeja përse t’i ngjitemi bëhet gjithnjë e më pak e qartë.
Teksa lexoja librin Rrëfimi të L. N. Tolstoit, ai solli në tjetër formë një shqetësim shumë të njohur, të vështirë për t’u shpërfillur. Ai përshkruan një jetë që, sipas çdo kuti të jashtëm, kishte arritur sukses: njohje, stabilitet, arritje, familje. E prapëseprapë, nën gjithë këtë, një pyetje i gërryente qetësinë pa ndërprerë, pyetje që refuzonte të merrte përgjigje vetëm nga arritjet.
“Ç’do të bëhet me atë që jam duke bërë tani, ç’do të bëhet nesër – ç’do të bëhet me gjithë jetën time?”
Nuk është pyetje dramatike. Kjo pyetje nuk ndërpret asnjë mbledhje dhe nuk shfaqet në vlerësimet e performancës. Ajo vjen në heshtje, shpesh në çastet kur asgjë në veçanti nuk duket se është gabim, sidomos për dikë tjetër. Pikërisht kjo e bën më shqetësuese. Nuk ka ndonjë problem të qartë për t’u zgjidhur, vetëm hendek në rritje midis asaj që bëjmë dhe arsyes pse e bëjmë.
Vendet e punës janë ndërtuar për të shpërblyer vazhdimësinë, qëndrueshmërinë, produktivitetin dhe lëvizjen përpara. Gjithmonë ekziston një hap tjetër, një rol tjetër, një version tjetër suksesi për t’u ndjekur. Sistemi funksionon pikërisht sepse nuk kërkon që të ndalemi për shumë gjatë. Por, kuptimi nuk ndjek gjithmonë strukturën.
Nga kjo perspektivë, problemi nuk është se ambicia është e gabuar apo se suksesi është i zbrazët. Problemi është se shpesh ne trashëgojmë përkufizimet e tyre pa e shqyrtuar nëse ende na përkasin. Vetë shkalla rrallëherë vihet në pikëpyetje, ndërsa pozicioni ynë në shkallë po. Dhe kështu, tensioni rritet në heshtje mes lëvizjes dhe kuptimit, mes përparimit dhe qëllimit.
A jemi në gjendje, në çaste të caktuara, të bëjmë një hap prapa dhe të pyesim se për çfarë shërben në të vërtetë kjo ngjitje, dhe a ka ende kuptim drejtimi? Pa këtë pyetje, mund të kalojmë vite duke lëvizur në një drejtim, vetëm për të kuptuar se ajo që po kërkonim asnjëherë nuk ishte aty ku mendonim.






















