Ndërtekst 30 Mars 2026, 12:48 Nga VNA

Të përkthesh z. Hajd

Ndaje në Whatsapp

Të përkthesh z. Hajd

“Mësova tek vetja ime të dalloj dualitetin e plotë dhe primitive të njeriut”.
— Robert Luis Stivenson, Rasti i çuditshëm i Dr. Xhekillit dhe z. Hajd

Rikthimi në vitin 2026 te libri “Rasti i çuditshëm i Dr. Xhekullit dhe z. Hajd” (Strange Case of Dr Jekyll and Mr Hyde) përngjan me përjetimin e një modeli të njohur në ditët e sotme, por të përshkruar me gjuhën e një kohe tjetër. Rrëfimi i dikurshëm për dualitetin moral sot flet për atë që përjetojmë në jetën e përditshme profesionale: bashkëjetesën e dy zërave brenda të njëjtit person, ku secili ndikon mbi mënyrën se si i shfaqemi botës.

Në shumicën e vendeve të punës, komunikimi konsiderohet si proces që e menaxhojmë së jashtmi. Përqendrohemi te formulimi i fjalive, mënyra si shpalosim idetë, elementet vizuale që përdorim dhe tek vetëpërmbajtja. Ajo që mbetet kryesisht e pathënë është procesi i brendshëm që i paraprin gjithë kësaj: ajo negociatë e heshtur mes asaj që përjetojmë në një çast të caktuar dhe asaj që vendosim të shprehim.

Dr. Xhekilli është versioni i vetes sonë që ka mësuar të funksionojë brenda sistemeve. Ai i kupton pritshmëritë, lexon atmosferën dhe përshtatet. Di si të zhvillojë biseda konstruktive, si të shmangë përplasjet e panevojshme dhe si të bëjë të mundur bashkëpunimin edhe nën presion. Pa të, mjediset profesionale do të ishin të vështira për t’u mbajtur në vijë.

Por z. Hajd asnjëherë nuk mungon.

Z. Hajd shfaqet përpara se gjuha të marrë formë. Ai është i pranishëm në çastin kur ndihemi të anashkaluar, të nënvlerësuar apo të detyruar përtej asaj që na duket e arsyeshme. Ai nuk ndërton argumente dhe nuk strukturon përgjigje. Ai regjistron ndikimin. Prania e tij shpesh ndihet fizikisht përpara se të kuptohet në mënyrë racionale.

Çështja nuk është që këta dy bashkëjetojnë, por që ne i japim hapësirë Xhekillit të flasë, ndërsa nga Hajdi pritet të jetë i vetëpërmbajtur. Me kalimin e kohës, kjo krijon një krisje të lehtë mes asaj që ndjejmë dhe asaj që themi, krisje që rrallë shërohet vetë. Pikërisht këtu komunikimi fillon të humbasë qartësinë, jo ngaqë mungon aftësia, por ngaqë ajo që shprehet nuk është më plotësisht e lidhur me atë që përjetohet.

Z. Hajd nuk lind nga hiçi. Ai nuk është forcë e jashtme, por pjesë e të njëjtit individ që mbart impulse dhe perceptime që thjesht janë shtyrë anash vëmendjes. Kur mohohet, ai nuk zhduket. Bëhet më pak i parashikueshëm dhe më i prirur të shfaqet në mënyra që i shkojnë kundër qëllimit.

Në kontekste profesionale, kjo është pika ku tensioni rritet papritur, ku biseda ndryshon ton pa ndonjë arsye të qartë, apo ku heshtja fillon të bartë më shumë peshë se sa vetë fjalët.

Alternativa nuk është t’i japim Hajdit kontroll të plotë, por as ta shtypim krejtësisht. Është ta përkthejmë atë.

Reagim që lind nga ndjesia e padrejtësisë mund të shndërrohet në pyetje për mënyrën si është marrë vendimi. Ndjenja e mbingarkesës me punë mund të shndërrohet në deklaratë të qartë për aftësinë. Në këtë proces, sinjali fillestar nuk humbet, por bëhet e dhënë që mund të përdoret.

Nëse e shohim me këtë sy, komunikimi efektiv nuk ka të bëjë vetëm me të shprehurit. Ai është në thelb harmonizim i përvojës së brendshme dhe gjuhës së jashtme. Dr. Xhekilli përfaqëson strukturën dhe vazhdimësinë, ndërsa z. Hajd flet për sinjalin dhe thellësinë e qenies. Kur njëri mungon, komunikimi ose bëhet i ashpër, ose humbet kuptimin.

Të përkthesh Hajdin do të thotë të zhvillosh aftësinë për të lëvizur mes tyre me vetëdije dhe ndershmëri, sidomos në mjedise ku disa reagime janë më të lehta për t’u fshehur sesa për t’u pranuar.

Të gjithë mbajmë brenda një version të Hajdit. Sfida është të mësojmë ta përkthejmë atë përpara se ai të bëhet kallëpi i komunikimit tonë.

Lexo gjithashtu

Video

Qielli bëhet i kuq i ndezur në Australinë Perëndimore përpara ciklonit tropikal Narelle.

Edhe më ha edhe më djeg…

Banorët e Rrjollit dhe të Durrësit protestë para Parlamentit teksa pritet të nisë seanca parlamentare.

Berisha fillon procesin e hapjes së Partisë Demokratike.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme