Ndërtekst 23 Shkurt 2026, 16:50 Nga VNA

Shkëlqyeshme, por e vështirë

Ndaje në Whatsapp

Shkëlqyeshme, por e vështirë

“…Në të vërtetë, miti i bukurisë gjithmonë përshkruan sjelljen, jo pamjen”.
— Naomi Uolf, Miti i bukurisë

Në Mitin e bukurisë (The Beauty Myth), Naomi Uolf (Naomi Wolf) bën vëzhgimin se sa më shumë që gratë iu afruan pushtetit shoqëror dhe profesional, aq më shumë pengesat e dukshme u zëvendësuan nga mjete më të buta disiplinimi, standarde që paraqiteshin si të natyrshme, madje edhe ndihmëse, por që kërkonin vetëvëzhgim të pandërprerë. Bukuria, argumenton Uolf, nuk ka qenë kurrë thjesht estetike. Ajo ka funksionuar si sistem kontrolli, si mënyrë për t’i mbajtur gratë të zëna duke korrigjuar vazhdimisht veten.

Kur e rilexova librin nga këndvështrimi i komunikimit në vendin e punës, më preku thellë se sa saktë kjo logjikë vepron edhe në zyrat bashkëkohore. Në vend të masës së belit dhe rrudhave, sot flasim për performancë dhe zhvillim profesional. Premtimi është rritja, por në praktikë, për shumë gra, synimi është kontrolli.

Të marr si shembull feedback-un, apo komentet e vlerësimit. Çka supozohet të ketë të bëjë me punën, objektivat, aftësitë dhe rezultatet, shpesh rrëshqet në ujëra më të turbullta: personaliteti dhe prania. Pikërisht këtu, aspekti gjinor depërton heshturazi. Gratë që përputhen me pritshmëritë e sjelljes së butë dhe bindjes zakonisht marrin vlerësime që ruajnë ekuilibrin. Ato që udhëheqin drejtpërdrejt, flasin me vendosmëri ose refuzojnë të tkurren, përballen me tjetër fjalor: etiketohen si të vështira, intensive, jo dhe aq të përshtatshme për ambientin.

Këtë ndryshim nuk e kam kuptuar nga teoria, por nga përvoja e një gruaje si unë. Për disa vite me radhë, vlerësimet për të tejkalonin pritshmëritë, lavdëronin performancën e fortë dhe e cilësonin “lojtare e vërtetë e skuadrës”. Gradualisht, brenda harkut të tetë muajve, gjuha ndryshoi. Vetëbesimi u riformulua si arrogancë, vendosmëria e saj si problem mendor, pavarësia si “jo lojtare skuadre”.

Vlerësimi i performancës që pasqyroi këtë kornizë të re ishte më pak analizë e disa muajve pune dhe më shumë kulminacioni i një narrative të thurur në heshtje nga grupi. Ajo që nuk mund të sulmohej në rezultate u zhvendos te personaliteti. Ajo nuk po dështonte; thjesht nuk ishte më e dëshiruar nga shefja-grua.

Ky model nuk është i rrallë. Shumë gra të suksesshme e përjetojnë atë çastin kur të qenit të shkëlqyeshme nuk i mbron më. Kur largimi i tyre nuk mund të justifikohet me shifra, ai realizohet përmes perceptimit. Pyetja nuk është më çfarë bëjnë, por si i bëjnë të tjerët të ndihen.

Shpesh, kalimi në sitë me ashpërsi vjen nga vetë gratë në pozita pushteti, e sidomos nga ato që kanë mësuar ta sigurojnë përkatësinë përmes përshtatjes dhe jo lirisë. Në shoqëri ku feminiteti lidhet ende ngushtë me miratimin mashkullor, disa lidere riprodhojnë hierarkitë që dikur i kanë kufizuar ato vetë.

Pas autoritetit të tyre ndonjëherë fshihet vetëvlerësim i brishtë, që e mbrojnë përmes kontrollit. Një grua që është dukshëm e pavarur, që nuk ka frikë nga mosmiratimi i burrave dhe që nuk ka interes të luajë rolin e të pëlqyeshmes, mund të perceptohet jo thjesht si ndryshe, por si destabilizuese. Ajo që pason është ndonjëherë armiqësi e hapur, por më shpesh është mbikëqyrje, riinterpretim dhe ndërtimi i heshtur i narratives së “problematikes”.

Këtu, Miti i bukurisë sjell një nga vëzhgimet më të mprehta. Sistemet e vlerësimit lulëzojnë mbi standarde që lëvizin vazhdimisht. Gjithmonë ka diçka për t’u rregulluar, zbutur, rafinuar apo moderuar, sikur qëllimi të mos ishte përmirësimi, por përshtatja e përhershme.

Edhe feedback-u në vendin e punës, si tregon përvoja e shoqes sime, funksionon shpesh në të njëjtën mënyrë. Gratë inkurajohen të bëhen më të bindura, më pak intensive, më të pranueshme, më “profesionale”, fjalë kjo që shpesh fsheh pritshmëri për nënshtrim. Pragu lëviz vazhdimisht dhe garanton vetëm vetëkontroll të pandërprerë.

Me kalimin e kohës, shumë gra mësojnë të redaktojnë vazhdimisht veten. Ato masin tonin në emailat që dërgojnë, peshojnë emocionet në mbledhje, kontrollojnë paraqitjen në udhëheqje, përvetësojnë mesazhin se shkëlqimi lejohet vetëm kur është i zbutur me kujdes.

Kështu, vlerësimet e performancës bëhen më pak mjete zhvillimi dhe më shumë mjete disiplinimi. Ato zbulojnë se rehatia e kujt përcakton kulturën dhe prania e kujt duhet të rimarrë formë tjetër për ta ruajtur kulturën e vendit të punës. Uolf shkruan se mitet e bukurisë forcohen ndërkohë që gratë fitojnë pushtet. Sa më afër autoritetit të afrohen gratë, aq më shumë energji shpenzohet për t’i kufizuar ato.

Ky reflektim nuk është kritikë ndaj feedback-ut. Vlerësimi i qartë, specifik dhe i bazuar në aftësi është thelbësor për zhvillimin profesional. Rreziku lind kur feedback-u shndërrohet në mjet për të imponuar konformizëm, kur kalon nga vlerësimi i punës në menaxhimin e identitetit.

Ashtu si miti i bukurisë i bind gratë se trupat e tyre janë të gabuar, edhe kulturat toksike të feedback-ut i bindin ato se problemi qëndron tek personalitetet e tyre. Vetëm më vonë shumë prej tyre kuptojnë se ajo që iu është paraqitur si mangësi personale ishte në të vërtetë parehatia e sistemit ndaj “tjetrit”.

Disa vende pune nuk i përzenë dhe nuk i përulin duke kritikuar punën e tyre, por e bëjnë duke ndërtuar narrativën se si lejohet të jenë këto gra. Rritja duhet të zgjerojë kapacitetin e individit, jo t’ia kompresojë identitetin.

Lexo gjithashtu

Video

Një bar në zonën e fundit të Lungomares në Vlorë u përfshi nga flakët mbrëmjen e sotme. Zjarri u përhap shpejt për shkak të materialit drusor, duke rrezikuar edhe ambientet përreth, por u izolua nga zjarrfikësit. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha. Shkaqet e zjarrit po hetohen.

Numri i viktimave ka shkuar në 74 persona pas operacionit të autoriteteve meksikane që përfundoi me vrasjen e bos-it të kartelit të njohur si “El Mencho”, duke shkaktuar një valë të re dhune në vend. Mes të vdekurve janë 25 oficerë të Gardës Kombëtare, 17 oficerë të zbatimit të ligjit, si edhe një agjent i zyrës së prokurorit dhe një roje burgu. Viktimat civile përfshijnë edhe një grua në muajin e tretë të shtatzënisë. Pas përplasjeve, autoritetet kanë ndërmarrë një valë arrestimesh, duke ndaluar mbi 30 persona. Sipas të dhënave zyrtare, 12 prej tyre akuzohen për incidente dhune, ndërsa mbi 20 të tjerë për plaçkitje të bizneseve dhe institucioneve të kreditit.

Ambasadori i BE në Kuvend teksa zhvillohet mbledhja për Ballukun.

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi është vetë-dorëzuar pranë pikës kufitare Bllacë me Kosovën, pasi ishte shpallur në kërkim pas masës së arrestit me burg. Në video momenti i shoqërimit

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme