“Dikush pyet: ‘Pse e bënë?’ dhe tjetri përgjigjet: ‘Sepse mundeshin’. Ky është i vetmi shpjegim që ekziston”. — Pushteti, Naomi Alderman
Çdo vit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, bisedat rreth grave rikthehen më zëshëm. Parulla, fushata, festime dhe hashtagë mbushin hapësirën publike. Arritjet shpalosen dhe vlerësohen, ashtu siç edhe duhet; përmenden sërish pabarazitë që vazhdojnë të ekzistojnë, me intensitet tashmë të njohur.
Megjithatë, diku në atë zhurmë të purpurt, shpesh humb diçka thelbësore. Disa diskutime rrëshqasin drejt një kornize tepër të ngushtë: gratë kundër burrave, përmbysja e roleve, një si lloj larjeje simbolike e hesapeve historike, debate se kush e meriton më shumë pushtetin. Rrallë ndalemi të ngremë pyetjen më të thellë: çfarë i bën pushteti secilës qenie njerëzore kur e mban në duar.
Romani “Pushteti” (The Power) nga Naomi Alderman çuditërisht hedh dritë ndryshe në një ditë si kjo. Romani imagjinon një botë të kokëprapthi nga ajo që njohim, një botë ku vajzat dhe gratë zhvillojnë papritur aftësinë për të gjeneruar goditje elektrike nga trupi i tyre. Brenda pak muajsh, balanca e fuqisë fizike që i ka dhënë formë historisë njerëzore fillon të lëkundet dhe gratë bëhen të afta të mbizotërojnë fizikisht mbi burrat. Teksa frika ndryshon drejtim, shoqëritë riorganizohen dhe sistemet politike përshtaten.
Në fillim, kjo ide duket pothuajse si drejtësi poetike, si kthesë evolucionare që korrigjon një pabarazi historike. Por shumë shpejt, libri shndërrohet në diçka krejt tjetër teksa eksploron idenë shumë më shqetësuese: në çastin kur pushteti ndryshon duar, sjellja njerëzore nuk bëhet automatikisht më e mirë, por thjesht përshtatet.
Duke qenë se shpesh historia duket e pashmangshme vetëm pasi ka ndodhur, lexuesi e kupton se kur sistemi ka ekzistuar për shumë kohë, ai shndërrohet në këndvështrimin se si e kuptojmë botën dhe historia shpresëdhënëse jo domosdoshmërisht përfundon me drejtësi. Në roman, disa nga gratë që fitojnë dominim riprodhojnë të njëjtat modele dhune, kontrolli dhe poshtërimi që dikur i kishin shtypur ato vetë. Aftësia për të ushtruar dhunë shndërrohet në themelin mbi të cilin ndërtohet pushteti më i gjerë politik dhe shoqëror.
Ky këndvështrim vjen si rikujtim i sinqertë se as gratë dhe as burrat nuk e kanë monopolin moral mbi pushtetin apo drejtësinë. Të dyja palët janë të afta të ndërtojnë sisteme që tjetrin e lartësojnë ose e dëmtojnë. Problemi i vërtetë nuk është gjinia, por çasti kur pushteti bëhet i pabarabartë dhe përdoret pa kufizime.
Diskutimi i vërtetë që duhet të bëjmë nuk është a gratë janë më të mira se burrat, më të mençura, më të mirësjellshme apo moralisht më superiore, apo dhe anasjelltas. Fjala nuk është për zëvendësimin e një grupi dominues me një tjetër, por për një ide ndoshta më radikale: që asnjë qenie njerëzore nuk duhet të ketë pushtet aq të pabarabartë saqë dinjiteti i tjetrit të bëhet i negociueshëm.
Pushteti nuk jeton vetëm në qeveri apo në revolucione. Ai jeton shumë më pranë nesh. Shpaloset në veprimet e përditshme, në shprehi që dalëngadalë shndërrohen në kulturë. Vendet e punës janë ndër hapësirat ku kjo bëhet më e dukshme. Pushteti shfaqet në takime, në vendimmarrje, në atë se kujt i ndërpritet fjala dhe kujt i dëgjohet, kujt i lejohet të marrë hapësirë dhe kujt jo.
Nga ky këndvështrim, biseda ndryshon drejtim dhe pyetja nuk është më kush duhet të sundojë, por si organizohet dhe si ushtrohet pushteti.
Dita Ndërkombëtare e Grave nuk ka patur kurrë për qëllim të jetë festë e epërsisë. Ajo lindi nga lëvizje që kërkonin drejtësi në paga, kushte pune dhe të drejta politike. Fryma e saj nuk ishte zëvendësimi i një hierarkie me një tjetër, por ndërtimi i një bote ku dinjiteti shpërndahet në mënyrë të barabartë.
Sfida e vërtetë mbetet t’i rezistojmë tundimit të heshtur për ta përdorur pushtetin ashtu si e kanë përdorur gjithmonë. Mund të fillojmë me diçka në dukje të thjeshtë: modele të reja të komunikimit, pritshmëri të reja për respekt dhe normalizim të dinjitetit, në mënyrë që e ardhmja të marrë formën nga mënyra se si zgjedhim ta përdorim pushtetin.






















