“Sikur ta shihje natyrën time të vërtetë. Përtej trupit tim dhe etiketimeve për mua, rrjedh një lumë butësie dhe ndjeshmërie”.
— Haemin Sunim, Gjërat që mund t’i shohësh vetëm po të ngadalësosh hapin
Këto ditë, kam menduar më gjerë e gjatë se çfarë ndodh në të vërtetë kur flasim me njëri-tjetrin, sidomos kur biseda ka peshë. E keni parasysh, ato biseda që nuk janë të rafinuara si kur performojmë në publik, por janë nga ato më të rrezikshmet, ku diçka reale është hedhur në lojë? Në çaste të tilla, nuk shkëmbejmë thjesht fjalë. Shpalosim pozicionin tonë ndaj tjetrit, ndoshta edhe ndaj vetes.
Brenda fjalisë gjithmonë ka më shumë sesa vetë fjalia. Kur dikush flet, çka arrin tek ne nuk është vetëm përmbajtja, por edhe niveli i vëmendjes, përmbajtjes, kureshtjes apo vetëmbrojtjes që i ka dhënë formë ligjërimit. Në biseda të vështira, kjo shfaqet në mënyrë pothuajse të dhimbshme. Disa nxitojnë të përgjigjen në mënyrë diplomatike, të tjerë tërhiqen në përpjekje për mirësjellje që lind nga zemërata apo zhgënjimi, duke bërë që këto biseda të pranohen ashtu siç janë.
Prandaj zgjodha një libër të një lloji tjetër për ta përdorur si busull në situata të tilla. Gjërat që mund t’i shohësh vetëm po të ngadalësosh hapin sugjeron se ajo që vërejmë në botë merr formën nga ritmi me të cilin ecim nëpër të, madje edhe mënyra si takohemi me njëri-tjetrin.
Nëse jemi me nxitim, të shpërqendruar, nën presion, apo thjesht të shtytur nga supozimet tona, apo japim verdikte nën ndikimin e qëllimeve dashakeqe të dikujt tjetër, nuk e takojmë vërtet tjetrin; takojmë vetëm versionin tonë për të.
Kjo ngre një pyetje të vështirë: çfarë, në të vërtetë, bëhet e dukshme kur flasim, si flasim, si dëgjojmë, sidomos në biseda që kanë njëfarë peshe?
Mund të mendojmë se komunikimi tregon sa të artikuluar jemi, sa të përmbajtur, sa profesionistë apo bindës jemi. Këto janë cilësi sipërfaqësore. Në çastet më të brishta, del në pah diçka tjetër, jo ajo që synojmë të tregojmë, por mënyra se si lidhemi me atë çka po themi.
Para disa ditësh, i shkruajta një shoku: “Ndonjëherë kam mendime depresive”. Nuk ishte rrëfim, thjesht një fjali e vendosur butësisht në rrjedhën e bisedës sonë të zakonshme. Ai mund ta kishte trajtuar në shumë mënyra. Mund ta kishte zbutur, riorientuar, ose të më kishte thënë fjalë të largëta qetësuese. Mirëpo, ai më shkroi: “U ndodh të gjithëve. Është krejt normale për njerëz si ne, që jetojmë jetë dinamike si kjo e jona”.
U preka nga fakti që ai qëndroi me fjalët që thashë dhe i vendosi brenda një kornize të përbashkët. Ka dallim kur ndjehesh e “shikuar” pa u ekspozuar, e kuptuar pa u analizuar. Kjo i afrohet shumë asaj që kërkojmë shpesh në komunikim. Jo marrëveshje, jo zgjidhje, por kur një mendje tjetër na “sheh”, na njeh, e jo vetëm për të përcjellë një ide, por për të qëndruar mjaftueshëm gjatë në kontakt me realitetin e tjetrit sa për ta kuptuar atë. Kjo kërkon një lloj pranie që nuk mund të imitohet, sado teknika të sofistikuara të përdorësh.
Më mbeti në mendje një fjali nga libri: “Kur njerëzit që nuk ju njohin mirë ju admirojnë, ata po shohin iluzionin që projektojnë vetë, jo veten tuaj të vërtetë. Ndërsa kur njerëzit që ju njohin mirë ju respektojnë, ka shumë gjasa që ju e meritoni”.
Kjo nxjerr në pah një dallim të rëndësishëm. Admirimi shpesh arrihet lehtë, por respekti kërkon gatishmëri të rrish me kompleksitetin, të shohësh atë që nuk është e pëlqyeshme sakaq apo e lehtë për t’u kuptuar, por gjithsesi ta zgjedhësh të rrish aty. Prania në komunikim jeton pikërisht në këtë hapësirë.
Në këtë kuptim, prania nuk është ta ndërpresësh përvojën e tjetrit me nevojën tënde për ta kategorizuar, e mbi të gjitha, është t’i rezistosh supozimeve. Prania nuk është të thuash fjalët e përkryera, por është t’i lejosh tjetrit të mbetet i vërtetë para teje, edhe kur gjendja është e pakëndshme apo e vështirë për t’u pranuar.
Nëse të ngadalësuarit na mëson diçka, është kjo: vëmendja është formë aktive kujdesi, hapësira që ne zgjedhim ta mbajmë në duar me kujdes kur dikush tjetër hyn, qoftë edhe për pak, brenda rrezes sonë të shikimit.






















