
“Por, fjalët frymojnë… Fjalët janë dallgë… Ti bëhesh fjalë dhe fjalët bëhen ti.”
— Mahmud Daruish, Në praninë e mungesës
Libri “Në praninë e mungesës” mund të duket si një libër shumë larg botës së komunikimit në vendin e punës, pasi flet për mërgimin, kujtesën, vdekshmërinë dhe mbijetesën e çuditshme të asaj që ka ikur. Megjithatë, si shumë libra të thellë, ai na mëson përtej temës së dukshme. Mahmud Daruishi shtjellon se si mungesa vetë bëhet një formë e pranisë.
Atmosfera në vendet e punës e di këtë shumë mirë, si vende ku fjalët shpesh mbërrijnë përpara së vërtetës.
Fjalët shpesh i mendojmë thjesht si mjet të përditshmërisë; i trajtojmë si kalimtare, pasi na dalin aq lehtë nga goja. Vërtet të josh mendimi se ajo që thuhet aq shpejt nuk mund të ketë jetë të gjatë. Por disa nga strukturat më të qëndrueshme të jetës njerëzore janë të ndërtuara prej fjalësh. Disa fjalë nuk zhduken kur shuhet tingulli i tyre; ato hedhin rrënjë, mishërohen në arkitekturën e vendit të punës, i mbijetojnë çastit kur u shqiptuan dhe vazhdojnë punën e tyre edhe shumë kohë pasi folësi është larguar.
Vendi i punës mund të riorganizojë ekipin, të shpallë vlera të reja, të ndryshojë identitetin, të rinovojë hapësirat, e megjithatë gjuha e vjetër ende banon aty.
Shumë njerëz e dinë çfarë do të thotë ta takosh kolegun e ri përmes fjalëve para se ta takosh si njeri. Emri i tij vjen i mbështjellë me mbiemra. Pranisë së tij i paraprin kujdesi, zbavitja, dyshimi, admirimi, përçmimi. Nuk takohet personi, por rrëfimi që e shoqëron. Ndonjëherë ai rrëfim është pozitiv. Shpeshherë jo. Në të dy rastet, personi që hyn më vonë në zyrë duhet të përballet me atë version të padukshëm të vetes që veçse është ndërtuar në mungesën e tij, prej fjalëve. Çka nis si interpretim, përsëritja e shndërron në fakt.
E, kur largohet ai që i tha ato fjalë? Se ç’ka diçka shumë shqetësuese në mënyrën se si fjalët vazhdojnë të frymojnë. Largimi i dikujt nuk e rinis nga e para kulturën e zyrës. Njerëzit shpesh mbeten të pranishëm përmes fjalëve që normalizuan dhe etiketimeve që futën në përdorim. Ish-menaxheri mund të mos jetë më i pranishëm në zyrë, por frika që u mësoi të tjerëve mund të vazhdojë të organizojë sjelljen e ekipit. Cinikja karizmatike mund të jetë larguar, por stili i saj i përçmimit vazhdon të jehojë në zërat e më të rinjve. Profesionistja që përdorte fjalët për të mbrojtur vlerat vazhdon të mbetet prani pezull në mungesë.
Në këtë kuptim, vendi i punës merr formë jo aq nga dokumentet e politikave, por nga fjalët që qarkullojnë, nga bisedat anësore, nga vështrimet që konfirmojnë atë që s’ka nevojë të thuhet me zë, nga ato fjali të çuditshme që duket se të gjithë i dinë, ndonëse askush nuk di t’ua tregojë autorin.
Ky është një nga mësimet më të qeta që ofron Daruishi. Prania nuk është gjithmonë fizike dhe mungesa nuk është gjithmonë zbrazëti. Edhe në vendet e punës, ajo që nuk shihet më mund të vazhdojë të ndikojë mbi vendimet, marrëdhëniet dhe klimën emocionale. Fjalët mund të bëjnë dëm duke u paraqitur si shqetësim ose duke tingëlluar të informuara. Fjalët mund ta privojnë dikë nga ndjenja e përnjësimit, ndërkohë që shfaqen sikur ruajnë mirësjelljen e përsosur profesionale. Reputacioni mund të shtrembërohet në heshtje përmes një sërë fjalish elegante, të thëna nga njerëz që kurrë nuk do ta konsideronin veten mizorë.
Prandaj kujdesi me fjalët nuk është çështje e etikës formale apo e mirësjelljes, por çështje ndërgjegjeje. Me kalimin e kohës, ne bëhemi atmosfera e krijuar nga fjalët që shqiptojmë dhe nga fjalët që pranojmë të strehojmë brenda vetes. Çdo thashethem që pranohet pa e shqyrtuar ndryshon diçka te dëgjuesi. Çdo gjykim i huazuar lë gjurmë. Çdo përshkrim i pamenduar i kërkon dikujt tjetër të jetojë brenda tij.
Daruishi e kuptonte se fjalët frymojnë, sepse ato nuk qëndrojnë aty ku i vendosim. Ato lëvizin mes njerëzve, sistemeve dhe mund të kthehen vite më vonë, në një zë tjetër, duke sjellë pasoja shumë më të mëdha se çasti që i krijoi.
Fjalët rrallë mbeten aty ku i vendosim. Ato udhëtojnë dhe marrin jetën e vet.






















