“Në fund të fundit, unë e përthith botën përreth meje dhe ajo ndryshon vazhdimisht. Ashtu si i gjithë uji që ishte në trupin tim herën e fundit që u takuam tani është zëvendësuar me ujë të ri, edhe gjërat që më përbëjnë mua kanë ndryshuar”.
— Sajaka Murata, Shitësja
A e njeh veten çdo mëngjes kur zgjohesh? Shumica prej nesh besojnë se po. E nisim ditën me bindjen se personi që na shikon nga pasqyra është, në thelb, i njëjti person që na shikonte edhe dje. Mund të kenë ndryshuar disa detaje të vogla: flokët, një rrudhë e re në fytyrë, njëra qepallë pak më e rënduar. Megjithatë, vetja na duket si një ekzistencë e pandërprerë. Është bërë e modës të flasim se si të gjejmë veten, të jemi vetja, të shprehim veten, t’i qëndrojmë besnikë vetes, a thua se vetja është një objekt i pandryshueshëm që pret me durim diku nën sipërfaqe.
Pastaj, të vjen në dorë një libër si “Shitësja”, që ta shkund këtë supozim. Romani i Sajaka Muratës fillimisht e mashtron lexuesin duke iu paraqitur si histori e zakonshme, por fuqia e rrëfimit të tij qëndron te pyetja që ngre, pyetje që shumë prej nesh e shmangin gjatë gjithë jetës: sa nga ajo që jemi, në të vërtetë, na përket neve?
Protagonistja, Keiko Furukura, ecën në këtë botë ndryshe nga njerëzit përreth saj. Gjatë gjithë jetës ajo mëson t’i vëzhgojë me kujdes të tjerët, huazon mënyrën si flasin, ua huazon shprehitë, reagimet, mënyrën si vishen dhe gjestet e tyre. Ajo i studion njerëzit ashtu si ndonjë antropolog studion një kulturë të panjohur. Për njerëzit që e rrethojnë, kjo sjellje duket e pazakontë, madje shqetësuese. Por, sa më shumë reflektoja mbi këtë aspekt të romanit, aq më e zakonshme më dukej sjellja e saj.
Keikoja thjesht bën me vetëdije atë që shumica prej nesh e bëjmë pa vetëdije. Sa më gjatë jetojmë, aq më shumë përthithim nga të tjerët. Shprehje e një shoqeje bëhet pjesë e fjalorit tonë. Vetëbesimi i mentorit ndikon mënyrën si flasim në takime. Ankthet e prindit na shoqërojnë në heshtje deri në moshën e rritur. Cinizmi i kolegut bëhet edhe i yni. Shprehitë e menaxherit zënë vend në rutinat tona. Njerëzit që takojmë lënë gjurmë pas vetes, shpesh pa e kuptuar.
Atëherë, identiteti fillon të duket më pak si prona jonë unike dhe më shumë si një mozaik i thurur me kalimin e kohës, copëz pas copëze të huazuar.
Këtë e vërejmë sidomos në vendet e punës. Vendet e punës janë mjediset ku kryhet puna, por ato janë edhe mjediset ku vetet tona ndryshojnë formë pa ndërprerë. Çdo vend pune u mëson njerëzve si të sillen, si duket suksesi, cilat emocione janë të pranueshme, cilat ambicie inkurajohen, si duhet të shprehet mospajtimi dhe cilat pjesë të vetes janë më të sigurta për t’u shpërfaqur. Dhe njerëzit përshtaten me kalimin e kohës.
Punonjësit e rinj mësojnë gjuhën e organizatës. Ata përvetësojnë ritmet dhe rregullat e pashkruara. Fillojnë të flasin me fraza të stërpërdorura, të marrin qëndrime që mbahen prej kohësh dhe të pasqyrojnë sjelljet që duket se shpërblehen. Një pjesë e kësaj përshtatjeje është e domosdoshme. Normat e përbashkëta e bëjnë të mundur bashkëpunimin. Pa to, puna kolektive vështirë se do të mbahej në këmbë. Por, përshtatja sjell me vete pyetje të rëndësishme.
Kur është çasti që përshtatja shndërrohet në shkërbim të cekët? Kur ndodh që përkatësia kthehet në performancë të lodhshme? Si e dallojmë zhvillimin nga fshirja graduale e vetes?
Sot është joshëse të flasim për autenticitetin sikur të ishte e kundërta e ndikimit, sikur vetja autentike të ekzistonte diku, e paprekur nga të tjerët. Romani i Muratës sugjeron diçka më të ndërlikuar. Sugjeron se qeniet njerëzore janë poroze dhe se ne e përthithim botën që na rrethon, sepse kjo është rruga se si mësojmë, lidhemi, rritemi dhe evoluojmë. Vetja nuk ndërtohet në izolim, por në marrëdhënie.
Prandaj problemi nuk qëndron te fakti që huazojmë nga të tjerët. Problemi fillon kur nuk vërejmë më se si ajo që kemi huazuar po na ndryshon. Disa pjesë të huazuara na zgjerojnë horizontin. Të tjera na kërkojnë të mblidhemi grusht, t’ua mbyllim gojën mendimeve të caktuara, të fshehim pikat tona të lëndueshme ose të shkëmbejmë individualitetin me pranimin. Këto ndikime mund të na ndihmojnë të përshtatemi, por jo gjithmonë na ndihmojnë të përkasim.
Ky dallim ka rëndësi, ndoshta sepse identiteti na duket në të njëjtën kohë i njohur dhe misterioz. Jemi vazhdimisht në proces shndërrimi, marrim pareshtur formë nga mjediset ku jetojmë dhe nga njerëzit që takojmë gjatë rrugës.
Murata shkruan se i gjithë uji në trupat tanë është zëvendësuar që nga hera e fundit që jemi takuar. Është një imazh biologjik, por edhe shoqëror. Çdo takim lë diçka pas. Çdo vend pune lë gjurmët e veta. Çdo marrëdhënie ndryshon përbërjen e personit që largohet prej saj. Çdo bisedë, zhgënjim, libër apo miqësi ndryshon diçka në përbërjen tonë. Dhe një ditë kuptojmë se nuk jemi më krejtësisht personi që kemi qenë dikur.






















