Ndërtekst 7 June 2026, 16:35 Nga VNA

Fantazmat që marrim në punë me vete çdo ditë

Ndaje në Whatsapp
Fantazmat që marrim në punë me vete çdo ditë

“Ti ke dikë që dëshiron ta shohësh, apo jo?”
— Mizuki Suxhimura, Shpirtrat e humbur takohen nën hënën e plotë

Në lexim të parë, kjo fjali nga Shpirtrat e humbur takohen nën hënën e plotë (Lost Souls Meet Under a Full Moon) nga Mizuki Suxhimura (Mizuki Tsujimura) duket se bën fjalë për një person tjetër, për dikë që e ke dashur dhe e ke humbur, dikë prania e të cilit është përpirë nga koha, distanca apo rrethanat. Mirëpo, rresht pas rreshti, pyetja filloi të marrë kuptim krejt të ndryshëm. Po sikur personi që dëshirojmë më shumë të takojmë të mos jetë fare dikush tjetër, por një version tjetër i vetes?

Një nga arsyet pse ky libër më preku kaq thellë është se nën fantazinë e tij fshihet pyetja që shumë prej nesh e mbartin gjatë gjithë jetës: çfarë ndodh me të ardhmet që nuk arrijmë kurrë t’i jetojmë? Jo çdo ëndërr përfundon me dështim; disa ëndrra thjesht zëvendësohen nga zgjedhje të tjera, përgjegjësi, mundësi apo frikëra. Ne zgjedhim një rrugë dhe lëmë të pashkelura shumë të tjera. Pjekuria si qenie njerëzore merr formën e saj jo vetëm nga jetët që jetojmë, por edhe nga ato që lëmë pas.

Shumë prej nesh mund të identifikojnë të paktën një version të mëparshëm të vetes ku na shkon mendja herë pas here. Mësuesi që mund të ishim bërë, artistja që reshtëm së ushqyeri, sipërmarrësja, biznesi i të cilës nuk doli kurrë jashtë bllokut mbushur me ide, shkrimtarja, kuzhinieri, shpikësja apo eksploruesi, planet e të cilëve u tkurrën gradualisht nën peshën e detyrimeve praktike dhe kërkesave të jetës.

Këto mundësi nuk zhduken plotësisht. Ato mbeten, si fantazma të heshtura, diku në sfondin e jetës sonë, jo domosdoshmërisht si pendesa, por ndoshta më shumë si ata kushërinjtë e largët që i vizitojmë rrallë, por që nuk i harrojmë. Duke lexuar romanin e Suxhimurës, m’u kujtua se malli nuk lidhet gjithmonë me të ardhmen, por edhe me alternativat e së kaluarës. Këto mundësi të pashpalosura na shoqërojnë çdo ditë në vendin e punës. Pas çdo pozicioni fshihet një histori më e gjatë, e endur me ëndrra dhe aspirata të fëmijërisë dhe rinisë.

Vendet e punës kanë prirjen që njerëzit t’i shohin përmes thjerrëzës së rolit të tyre aktual. Ne shndërrohemi në përshkrime pune, korniza kompetencash, linja raportimi dhe tregues performance. Mirëpo, kushdo që ka menaxhuar njerëz për një kohë të gjatë e di se qeniet njerëzore janë shumë më komplekse sesa katrorët në organogram. Realiteti organizativ është më i rrëmujshëm. Personi mund ta dojë punën e vet dhe njëkohësisht të vajtojë një rrugë tjetër. Mund të jetë i suksesshëm dhe prapë të pyesë veten: “Po sikur?”. Mund të jetë besnik dhe përsëri të ndihet i trazuar. Mund të jetë mirënjohës dhe megjithatë të ndiejë se diçka ka mbetur e papërfunduar.

Këto kundërshti janë shenja të të qenit njerëzor. Ato nuk shfaqen në vlerësimet vjetore të performancës, por ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë dhe e kryejnë punën e tyre. Liderët më të mirë mësojnë të punojnë brenda kësaj zone të hirtë, në vend se ta trajtojnë si problem për t’u zgjidhur. Ata e kuptojnë se punonjësit nuk janë entitete statike, vlera e të cilëve mund të matet plotësisht përmes listës së detyrave dhe rezultateve. Ata i kushtojnë vëmendje çasteve kur dikush gjallërohet gjatë një projekti. Vërejnë talentet e fjetura, interesat dhe entuziazmin e papritur.

Jo çdo punonjës ka nevojë për ndryshim rrënjësor të karrierës, por njerëzit lulëzojnë kur u lejohet që më shumë nga ajo që janë të jetë pjesë e asaj që bëjnë. Ky mund të jetë një nga dimensionet më të nënvlerësuara të lidershipit. Kalojmë shumë kohë duke diskutuar rreth produktivitetit, angazhimit dhe ruajtjes së stafit, por shumë më pak duke eksploruar aspiratat e tyre individuale. I pyesim të tjerët se çfarë punojnë, por shumë rrallë se kush shpresojnë ende të bëhen. Ky është një dallim që ka rëndësi.

Teksa reflektoja mbi romanin e Suxhimurës, mendova për njerëzit që kam hasur në jetë ndër vite. Ata që më kanë mbetur më shumë në mendje nuk janë ata që më kanë ofruar mundësitë më të mëdha, por ata që vunë re tek unë aftësi dhe potencial që pothuajse i kisha harruar edhe vetë. Ndonjëherë mjafton një bisedë e vetme për ta rilidhur dikë me atë pjesë të vetes që ka qëndruar e fjetur për vite me radhë. Jo të gjitha ëndrrat e parealizuara mund apo duhet të ringjallen dhe ka arsye të mira pse disa rrugë mbeten të pashkelura. E sërish, versionet e pajetuara të vetes sonë vazhdojnë të na japin formë.

Pikërisht ky mund të jetë qëllimi i fantazmave të rrugëve të pashkelura: të na rikujtojnë se qeniet njerëzore janë gjithmonë më të mëdha se rolet që mbajnë. Vendet më të shëndetshme të punës nuk kërkojnë që njerëzit t’i lënë te dera ato pjesë të vetes, e as nuk përpiqen t’i dëbojnë ato fantazma. Përkundrazi, krijojnë hapësirën e nevojshme që njerëzit t’i integrojnë, t’i rizbulojnë dhe herë pas here t’i rikthejnë në dritë.

Lexo gjithashtu

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme