Rreth 80 punonjëse të fasonerisë Intex në Portëz të Fierit protestuan përpara Zyrës së Punës për shkak të uljes së pagave pa paralajmërim dhe kushteve të vështira të punës. Ato denoncojnë sjelljen fyese dhe kërcënuese të pronarit italian, i cili, sipas tyre, i pushon nga puna kur kërkojnë të drejtat e tyre.
Punonjëset ankohen për reduktim të pagës ditore nga 17 mijë në 15 mijë lekë (të vjetra) dhe për rritje të tarifave të transportit nga 8 mijë në 18 mijë lekë në muaj, pa paralajmërim. Po ashtu, ato janë gjobitur me nga 100 mijë lekë për punësim të dyfishtë si pasojë e procedurave të pasakta gjatë ndryshimit të pronarëve dy vite më parë.
Inspektoriati i Punës në Fier njoftoi se do të nisë menjëherë një inspektim lidhur me këto denoncime. Deri në momentin e publikimit, kompania Intex nuk ka dhënë një reagim zyrtar, raporton BIRN.






















